Qeveria i jep 'OK' ndihmës financiare për naftëtarët e Ballshit/ Për 1 vit 40 000 lekë pagë në muaj! Kriteret dhe dokumentacionet për ta përfituar

Paga prej 40 mijë lekësh do tu jepet naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit duke filluar që nga muaj nëntor. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugën përfitimit të ndihmës nga punonjësit e ish punonjësit që këtë muaj. Janë 870 persona që do të marrin nga 40 mijë lekë deri në tetor të vitit 2021.

Sipas VKM pagat e nëntorit dhe të dhjetorit do të përballohen nga fondi i vënë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për përballimin e pandemisë COVID-19. Kostoja për pagat e muajve të mbetur të këtij viti është mbi 92.2 milionë lekë. Ndërsa pagat e tjera deri në tetor të vitit të ardhshëm do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021 dhe që efekti financiar është parashikuar në nivelin e 461.3 milionë lekë.

Punonjësit dhe ish punonjësit e rafinerisë për të marrë pagën do të duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike pranë drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke listuar një sërë të dhënash përfshirë: të dhëna identifikuese të subjektit tatimpagues ku kanë qenë të punësuar, emër mbiemër të përfituesit, numrin personal të individit, bankën dhe IBAN e llogarisë bankare.

Më pas janë tatimet që brenda 5 ditëve nga data e aplikimit të bëjë verifikimet për çdo punonjës, dhe më pas çon listën e përfituesve të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë ku përfituesit kanë llogarinë bankare, tek Dega e Thesarit Tiranë për ekzekutim.

Marrëveshja për marrjen e pagës prej 40 mijë lekësh është arritur me 13 nëntor mes Kryeministrit Rama dhe naftëtarëve, pas shumë ditësh grevë urie..

VENDIMI I PLOTË:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave, Vendosi:

1. Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh në muaj për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

2. Punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Ndihma financiare llogaritet dhe jepet çdo muaj për punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

2. Ndihmën financiare e përfitojnë punonjësit si më sipër, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo ndihmë financiare më parë.

3. Aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonësit të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimit nr.305, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe të larguarit nga puna si pasojë e COVID-19”, bëhet nga vetë subjekti/individi nëpërmjet dorëzimit elektronik të të dhënave të përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu.

Miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit do të dorëzojnë.

4. Subjekti/individi aplikues duhet të paraqesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, elektronikisht, të dhënat e përfituesit, ku përfshihen:

a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS ku janë/kanë qenë të punësuar;
b) të dhënat identifikuese të individit si:

i. emrin, mbiemrin e përfituesit;

ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit;
iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
iv. IBAN-in e llogarisë bankare.

III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke verifikuar tatimpaguesin nëse është apo jo përfitues i ndihmës financiare.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas verifikimeve sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare. Për çdo listë përmbledhëse, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgatit një urdhër shpenzim të cilin ia paraqet Degës së Thesarit Tiranë për ekzekutim. Paralelisht me dërgimin e urdhrit të shpenzimit në Degën e Thesarit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet në bankën respektive të nivelit të dytë listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me qëllim transferimin e shumës së çdo individi në llogarinë e tij rrjedhëse, pranë kësaj banke. Lista përmbledhëse e individëve përfitues të ndihmës financiare, që paraqitet pranë bankës së nivelit të dytë, duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

4. Drejtoria e Përgjthshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratojnë rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi.

IV. MASA E NDIHMËS FINANCIARE

1. Ndihma financiare, që përfitojnë punonjësit/ish-punonjësit, përcaktohet në kreun I, të këtij vendimi.

2. Ndihma financiare do të jepet çdo muaj për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

V. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Efekti financiar për dymujorin nëntor – dhjetor 2020, në masën 92 261 140 (nëntëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e një mijë e njëqind e dyzet) lekë, të përballohet nga fondi i alokuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e ndihmës financiare sipas paketave përkatëse për përballimin situatës së krijuar nga COVID-19. Efekti financiar, për vitin 2021, në masën në masën 461 305 700 (katërqind e gjashtëdhjetë e një milionë e treqind e pesë mijë e shtatëqind) lekë, përballohet nga buxheti i vitit 2021, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë