Fabrika e qumështit ‘Vita’ në Istog, Kosovë, është mbyllur përkohësisht me vendim të drejtuesve pas disa kontrolleve të ushtruara nga Agjencia e Ushqimit dhe Vetenarisë gjatë ditës së djeshme. Fabrika e qumështit ‘Vita’ është në pronësi të vëllezërve Devolli, të cilët janë gjithashtu pronarë të disa mediave kritike në Kosovë ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha pas inspektimeve në fabrikën e qumështit në Istog se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e fabrikës.
“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha AUV.
Sipas autoriteteve, inspektimi është ndërmarrë pasi kompania ka ulur sasinë e prodhimit të qumështit nga 1 korriku, duke arsyetuar vendimin me mungesën e tregut. Agjencia e Ushqimit tha se gjatë kontrollit fizik të objektit gjeti mospërputhje me ligjet në fuqi.
“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”, u tha në njoftim.
Gjithashtu, agjencia tha se fabrika nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi “për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente”.
Inspektimet çuan në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.
Drejtori i përgjithshëm i fabrikës “Vita”, Artan Spahia, tha para mediave se inspektimet u kryen nga inspektorët e AUV-së me vendim të vetë ministrit Muja. Ai tha se vendimi që i është dhënë nga një këshilltareje të Mujës, që sipas tij as nuk u prezantua, është marrë vetëm për kompaninë e tij dhe vendimi është nënshkruar sot. Ai e akuzoi ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.
Muja u kundërpërgjigj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit. Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se çfarë ushqimi konsumojnë.
“Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’”, tha Muja, sipas të cilit, qëllimi i vetëm i kontrolleve është mbrojtja e interesit publik.
Në fund të prillit, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, kishte njoftuar për disa masa të ndërmarra sa i përket produkteve të qumështit teksa kishte paralajmëruar se produktet e qumështit duhet të etiketohen dhe të kategorizohen qartë.
Po ashtu, qeveria Kurti i vendosi edhe akcizë qumështit pluhur. Muja njoftoi se masat do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi, në varësi të zhvillimeve në treg.
Muja deklaroi se këto masa u ndërmorën pasi prodhimi vendor i qumështit të freskët po përballet me ndikim të drejtpërdrejtë nga rritja e importeve, veçanërisht e qumështit pluhur, si dhe nga produktet që përmbajnë vaj palme.
Komente










