TIRANE- Shtetasit u huaj tashmë do ta kenë më të lehtë për të punuar në Shqipëri pasi nuk do të kufizohen nga lejet e punës, kjo falë vendimeve të marra dje nga Këshilli i Ministrave. Nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve ligjore, reduktohen ndjeshëm afatet që një shtetasi të huaj i duhet për të marrë një leje punësimi në vendin tonë. Po ashtu qeveria parashikon të reduktojë dhe hallkat institucionale që një biznesmeni jo vendas i duhet të kalojë për të hapur një biznes në vendin tonë.

Dy ministra të kabinetit qeveritar, pikërisht nga ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe Klajda Gjosha, ministre e Integrimit kanë theksuar se vendimet nxisin edhe krijimin e shumë vendeve të reja të punës. “Ndërsa jemi në pritje të konfirmimit të statusit kandidat, dua të theksoj se këto 17 marrëveshje janë një pararendje e një liberalizimit të tregut të punës, që ne synojmë ta bëjmë edhe me vende të tjera sidomos  me Kosovën, pas mbledhjes së Prizrenit. Ne do të liberalizojmë tregun e punës nga Mitrovica në Gjirokastër, do të thotë që çdo shtetas i Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë do të mund të punojë i pakufizuar nga lejet e punës, në këtë hapësirë gjeografike dhe ky besoj është një problem shumë i mirë dhe një problem konkret pas mbledhjes së Prizrenit", tha Veliaj.

Këto 17 vendime të cilat parashikojnë lëvizjen e lirë të shtetasve të huaj që kanë dëshirë të vijnë të punojnë në Shqipëri, janë njëkohësisht edhe pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. “Këto janë projekte të një rëndësie të veçantë dhe sigurisht për ata persona të shkolluar dhe që duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri për të hapur bizneset e tyre apo kompanitë e tyre përkatëse sepse në radhë të parë kjo ka të bëjë dhe në mënyrë direkte me hapjen e vendeve të reja të punës.

Nuk do të vazhdojmë vetëm me ministrinë e Mirëqenies Sociale, por në të njëjtën kohë po punohet shumë për të 5 kriteret, siç janë reforma në administratën publike, çështje të antikorrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar, të drejtat  e njeriut, duke vazhduar më tej dhe me reformën në drejtësi që  është shumë thelbësore, për të plotësuar të 5 kriteret e kërkuara nga BE” ka pohuar Gjosha. Sipas saj, 17 projekt vendimet kanë të bëjnë me kapituj 12 dhe 24 të progres-raportit.

Lejet e punës që mund të aplikohen
 Leje pune e tipit “A/AF”, si anëtar familjeje
Leje pune e përhershme, e tipit “D”,  për personat që kanë marrë lejen e dytë
Leje pune e tipit “A/KL”, si punonjës me kualifikim të lartë
Leje pune e tipit “A/PSH”, si punëtor shtëpiak
Leje pune e tipit “C/SHK”, për shërbime kontraktuese, jo më shumë se 90 ditë
Leje pune e tipit “A/TN”, si i transferuar brenda ndërmarrjes
Leje pune e tipit “A/SP”, si sportist
Leje pune e tipit “B/VP”, e kufizuar në kohë, hapësirë dhe profesion
Leje pune e tipit “A/FP”, për formim profesional
Leje pune e tipit “A/P”, si punëmarrës
Leje pune e tipit “B/I”, si investitor
Leje pune e tipit “C”, për raste të veçanta, me afat deri në një vit
Leje pune e tipit “A/NK”, për punësim ndërkufitar
Leje pune e tipit “A/S”, për studentë
Leje pune e tipit “A/PS”, si punëtor stinor
Leje pune e tipit “A/SHV”, si person që kryen shërbime vullnetare


Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)