Mosmarrja e shpërblimit të fundvitit me vlerë 15 mijë lekë (të reja), të vendosur dje nga qeveria shqiptare, ka ngritur në protestë personat me aftësi të kufizuara në qytetin e Lezhës. Që në orët e para të mëngjesit, ata janë mbledhur para ambienteve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, duke kërkuar marrjen e pagesës së premtuar.
Personat me aftësi të kufizuara thonë se ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se mungesa e këtij shpërblimi i pamundëson të përballojnë shpenzimet për festën e ndërrimit të viteve.
Nga ana tjetër, përfaqësues të filialit të Postës në Lezhë bëjnë me dije se fondet ende nuk janë lëvruar nga Thesari, çka ka sjellë edhe krijimin e kësaj situate. Ata theksojnë se pagesat do të kryhen menjëherë sapo fondet të kalojnë në dispozicion të Postës.
Komente











