Këshilli i Ministrave ka miratuar një ditë më parë një vendim për t’i ardhur në ndihmë deputetit të LSI-së, Spartak Braho për të përballuar shpenzimet për kurim. Sipas vendimit të Qeverisë më 22 qershor, është akorduar fondi prej 48 milionë Lekë të vjetra që do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho po kurohet jashtë vendit prej disa muajsh dhe është tërhequr nga jeta aktive politike.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr. 147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016” dhe në vijim të shkronjës “c”, të pikës 9, të vendimit nr. 33, datë 20.1.2016 të Këshillit të Ministrave “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2016”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të z. Spartak Braho, në masën 4 800 000 katër milionë e tetëqind mijë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave origjinale përkatëse të institucionit të mjekimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë

Redasia Online
l.q/Shqiptarja.com