TIRANE - Negociatat e ambasadorit amerikan dhe ambasadores së Bashkimit Europian një ditë më parë duket se kanë pasur sukses. Qeveria miratoi ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas ekzekutivit, ky është varianti i negociuar me Partine Demokratike nga amerikanët dhe OPDAT 4 muaj më parë dhe për të cilin opozita ka dhënë miratimin e saj.

Byroja Kombëtare e Hetimit, organizohet si një strukturë e veçantë në Policinë e Shteti që ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit. Ministrit i Brendshëm me propozimin të Drejtorit të Policisë së Shtetit përcakton me vendim organizimin dhe funksionimi administrativ të saj, ndërsa veprimtaria procedurale penale drejtohet dhe kontrollohet nga Prokurori i Përgjithshëm.

Drejtori i Byrosë nuk mund të emërohet pa pëlqimin paraprak me shkrim të kryeprokurorit. Emri i tij propozohet nga drejtori i policisë dhe miratohet nga ministri i Brendshëm. Edhe shkarkimi i tij bëhet po nga kjo treshe.
 
Brenda kësaj strukture operon dhe një prokuror i cili është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet.

Ligji i jep një mbrojtje të posaçme punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kanë statusin e policisë gjyqësore. Pavarësisht se janë në varësi të Policisë së Shtetit asnjë prej tyre nuk mund të shkarkohet apo transferohet pa lejen e prokurorit të Përgjithshëm.
 
Mandati i tyre është 7-vjeçar, dy vjet më shumë se ai i drejtorit. Përveçse kontribuojnë në trajnimin e tyre, ndërkombëtarët monitorojnë rreptësisht dhe rastet e shkarkimeve të këtyre punonjësve.

“Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoron në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH-së sikurse edhe vendimet për të larguar punonjësit e BKH-së dhe siguron përputhshmërinë me ligjet ekzistuese. Komisioni i Pavarur i Rishikimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Secili prej misioneve ftohet të caktojë përfaqësues që do të japin ekspertizë dhe këshilla për funksionimin më të mirë dhe zhvillimin e BKH-së”, -thuhet në ligj ku saktësohet dhe një listë me motivet të cilat përbëjnë shkak për largimin nga detyra të një punonjësi të byrosë, i cili duhet të ketë përvojë të gjatë në policinë e shtetit.

“Punonjësi i BKH-së largohet vetëm në përputhje me procedurat që aplikohen për punonjësit e Policisë së Shtetit sikurse edhe me legjislacionin për organizimin e funksionimin e Policisë Gjyqësore dhe vetëm pas konsultimit me Komisionin e Pavarur të Rishikimit dhe me përfaqësuesin e prokurorisë” shkruhet në ligj.

Byroja Kombëtare e Hetimit bën pjesë në ligjin për Policinë e Shtetit i cili u rrëzua nga gjykata kushtetuese në korrik të vitit të kaluar pas ankimimit të PD-së.

Projektligji i plotë miratuar nga qeveria

Ja pikat kryesore te projektligjit per Byrone Kombetare te Hetimit:

Krijohet nje strukture per mbikqyrje nderkombetar, qe quhet Komisioni i Pavarur i Rishikimit

Komisioni i Pavarur i Rishikimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Secili prej misioneve ftohet të caktojë përfaqësues që do të japin ekspertizë dhe këshilla për funksionimin më të mirë dhe zhvillimin e BKH-së. 
 
2. Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoron në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH-së sikurse edhe vendimet për të larguar punonjësit e BKH-së dhe siguron përputhshmërinë me ligjet ekzistuese.”.

Si emerohet dhe pushohet nga detyra Drejtori i Pergjithshem i Byrose
 
Drejtori i BKH-së emërohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e  drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi.

2. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
 
a) Kur dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) Për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës; 
c) Për sjellje në kundërshtim me rregulloren e Policisë së Shtetit, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij;
ç)  Për shkelje të rënda dhe tepër të rënda të disiplinës në ushtrimin e 
     funksioneve të tij;
d) Kur dalin fakte të reja që bien në kundërshtim me kriteret e vendosura për emërimin e tij.
 
3. Drejtori i BKH-së lirohet dhe/ose shkarkohet nga detyra nga ministri, në bazë të propozimit të Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimit paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm.

Emerimi dhe mbrojtja te parashikuara per punonjesit e Byrose se Hetimit

Punonjësi i BKH-së largohet vetëm në përputhje me procedurat që aplikohen për punonjësit e Policisë së Shtetit sikurse edhe me legjislacionin për organizimin e funksionimin e Policisë Gjyqësore dhe vetëm pas konsultimit me Komisionin e Pavarur të Rishikimit dhe me përfaqësuesin e prokurorisë, nëse:
 
a) dënohet për një vepër penale nga një gjykatë penale në Shqipëri ose në një vend tjetër;
b) certifikohet si i paaftë nga ana mjekësore për të punuar pranë BKH-së nga një komision mjekësh ekspertë; 
c) është objekt i një rekomandimi për shkarkim nga drejtori i BKH-së, në përfundim të një procedure disiplinore që ka vërtetuar se punonjësi i BKH-së ka shkelur rregulloren e Policisë së Shtetit në më shumë se tri raste dhe konsiderohet se është i paaftë nga ana profesionale për të kryer detyrat;
ç) kur dalin ose vërtetohen fakte të reja të panjohura më parë që kanë të bëjnë me arsimin, kualifikimet ose vërtetësinë e punonjësit ose fakte që kanë të bëjnë dhe janë në kundërshtim me kriteret për emërim.
 
Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com