Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në ligjin ekzistues për donacionet dhe sponsorizimet, i cili synon të rrisë financimin e sportit, artit dhe kulturës përmes mbështetjes së biznesit. Ministri Blendi Gonxhja, thekson se ndryshimet parashikojnë deri në 2 miliardë lekë në vit për këta sektorë, përtej buxhetit të shtetit.

Sipas ministrit, projektligji parashikon që deri në 30% e tatimit mbi fitimin të mund të zbritet drejtpërdrejt për sponsorizimet, sipas dispozitave të reja.

Një tjetër ndryshim është krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve, së bashku me mekanizma kontrolli për të garantuar më shumë transparencë.

Gonxhja e cilësoi nismën si “një kapitull të ri për sportin, artin dhe kulturën shqiptare”, duke theksuar se synohet krijimi i një modeli të ri bashkëpunimi mes shtetit dhe biznesit, me më shumë mundësi financimi për talentet e reja. Projektligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pritet që të kalojë edhe në Kuvend, për të hyrë në fuqi.


Lajmi kryesor:

Bizneset që mbështesin financiarisht artin, kulturën dhe sportin, lehtësi tatimore deri në 30%! Qeveria miraton ndryshimet në ligjin për donacionet dhe sponsorizimet