Qeveria miraton vendimin për dërgimin e Forcave të sigurisë së Kosovës në një mision jashtë vendit

Qeveria miraton vendimin për dërgimin e Forcave të sigurisë së Kosovës në një mision jashtë vendit

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision paqeruajtës në Ishujt Falklands.

Në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike më 29 nëntor, Qeveria tha se ky vendim do t’i dërgohet për miratim Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që pjesëtarët e FSK-së të marrin pjesë në këtë mision.

Nëse deputetët miratojnë këtë vendim, atëherë ky do të ishte misioni i dytë jashtë vendit i pjesëtarëve të FSK-së.

“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi”, u tha në njoftimin e ekzekutivit.

Misioni i FSK-së do të mbulohet financiarisht nga buxheti i Kosovës, ndërkaq pjesëtarët e saj do të jenë nën komandën e forcave të armatosura të shtetit pritës.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator të vitit 2022 nënshkruan marrëveshjen për bashkë-zbarkime të forcave të tyre në misione ushtarake jashtë këtyre dy shteteve.

Atëbotë, zyrtarët e Kosovës thanë se nënshkrimi i marrëveshjes “rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”.

Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për angazhim të përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.

Përmes këtij bashkëpunimi, me trupat amerikane, më 2021 një kontingjent i FSK-së u dërgua në Kuvajt - në misionin e parë jashtë vendit.

FSK-ja numëron afër 2.500 trupa të rregullt dhe 800 rezervistë. Numri i forcave të saj të rregullta pritet të dyfishohet kur të mbarojë procesi i transformimit.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur procesin e transformimit të plotë në ushtri më 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet./REL.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nedim Bajrami objektivi i klubit surprizë të Serie A, drejtori e ndjek në stadium

Nedim Bajrami objektivi i klubit surprizë të Serie A, drejtori e ndjek në stadium