Qeveria nuk mbledh të ardhurat e
planifikuara nga tatimet dhe doganat

Qeveria nuk mbledh të ardhurat e<br />planifikuara nga tatimet dhe doganat
TIRANE- Edhe pse rishikoi buxhetin në muajin korrik, qeveria përsëri nuk arriti të mbledhë të ardhurat e planifikuara nga tatimet e doganat. Sipas treguesve buxhetorë, të sapo publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat e munguara për muajin gusht në total arrijnë 25 milionë dollarë. Në këtë mënyrë, totali i të ardhurave, edhe pas aktit normativ të qeverisë që uli shpenzimet si dhe pritshmëritë e arkëtimeve, rezulton 1.1% më i ulët nga buxheti i rishikuar.

Përmes një Akti Normativ, në muajin gusht uli planifikimin e të ardhurave, bashkë me shpenzimet buxhetore. Po duket se përsëri plani i të ardhurave ka qenë tejet optimist, duke qenë se pjesa dërrmuese e treguesve përsëri notuan në terren negativ. Ndryshime të treguesve priten në fund të muajit shtator, kur do pasqyrohen në buxhet edhe fluksi i ri i të ardhurave si rezultat i aksionit masiv të qeverisë kundër evazionit fiskal.

Mosrealizimi
Përgjegjës kryesorë për mosrealizimin janë tatimet e doganat. Të ardhurat nga Administrata tatimore në gusht rezultojnë 0.5% më të ulëta se plani, ose minus 1.1 miliardë lekë. Me rënie më të dukshme është edhe treguesi të ardhura nga tatimet e doganat, mosrealzimi i të cilave është 1.6 miliardë lekë.

Tatimi mbi vlerën e shtuar përsëri ndikoi negativisht në të ardhurat buxhetore, duke qenë se u arkëtuan nga kjo taksë 1.2 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar në gjysmën e vitit. Një prej treguesve të pakët me bilanc pozitiv në muajin gusht rezulton taksa e biznesit të vogël, e cila rezulton 67% më shumë se plani, ose rreth 5 milionë dollarë më shumë krahasuar me pritshmëritë.

Të ardhurat
Gjithsesi, pavarësisht mosrealizmit edhe pas rishikimit të buxhetit, të ardhurat rezultojnë dukshëm më të larta krahasuar me  një vit më parë. Në gusht 2015 totali i të ardhurave është 5.1% më i lartë ose afërsisht 100 milionë dollarë më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat tatimorë rezultojnë 8.9 miliardë lekë krahasuar me janar-gusht 2014, ndërkohë që ta ardhurat nga tatimi rezultojnë 19% më të larta, ose plus 2.7 miliardë lekë. Ulje të dukshme kanë shënuar për 8 mujorin edhe shpenzimet buxhetore, të cilat rezultojnë 2.9% më të ulëta se planifikimi. Diçka e tillë ka sjellë uljen e defiçitit buxhetor, i cili në gusht rezulton me rënie në masën 23.7%, ose rreth 45 milionë dollarë më pak.
 

Evazioni, Rama: U trefishuan kasat fiskale
 
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama ka paraqitur rezultatet e deritanishme të luftës ndaj evazionit. Sipas Ramës numri i bizneseve të regjistruar është rritur me 826 për qind, pse 11.055 biznese më shumë se në shtatorin e vitit 2014.

Në krahasim me vitin 2013 janë 11.531 biznese. Po ashtu kryeministri Shprehet se është trefishuar numri i kasave fiskale dhe është rritur me 26 milionë, ose 57%, numri i kuponëve tatimorë. Përsa i përket xhiros së deklaruar, Kryeministri Rama shtoi se rezultati është rritja me 33.3 miliardë lekë. Ndërsa janë 574 punonjës që tashmë janë të siguruar duke shpëtuar nga puna në të zezë.
 

Tatimorët do mbikqyrën gjatë inspektimit
 
Ashpërsimi i masave ndaj evazionit fiskal ka nxitur debate të ashpra në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku deputetët e djathtë akuzuan se do godasin biznesin e vogël në favor të disa kompanive të mëdha, kliente të qeverisë. “Evazioni u krijua nga më pak se 6-8 për qind e biznesit, ndërsa drurin do ta hanë 94 për qind të tjerët. Dhe ky ligj adresohet kryesisht ndaj bizneseve të vogla”, akuzoi Bode. Edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komision, Gjovalin Kadeli, u shpreh kundër ashpërsimit të masave ndëshkuese ndaj biznesit.

“Unë mendoj që tendenca për të rritur gjobat nuk do t’i sjellë ndonjë të mirë ekonomisë shqiptare, por do të rrënojë biznesin”, deklaroi deputeti i LSI, Gjovalin Kadeli. Më tej Bode, i përkufizoi masat e marra nga qeveria për të luftuar informalitetin si çoroditje dhe spektakël qeveritar, ku fajin nuk ua ka fatura apo kasa fiskale, por keqadministrimi fiskal.

Debatet
Kreu i Komisionit Erion Braçe reagoi ndaj Bodes, duke i sjellë në vëmendje se në këtë mënyrë po mbron informalitetit e paligjshmërinë.
“Pse e keni kaq siklet ndëshkimin e personave të paligjshëm?

Në cilin shtet nuk ndëshkohen të paligjshmit? Për më tepër, kur flitet për administratën, veçanërisht atë tatimore e doganore, është më mirë të heshtni. Regjistrimi i 20 mijë bizneseve në 1 muaj e gjysmë dëshmojnë fare mirë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën”, deklaroi kryetari i komisionit, Erjon Braçe. “E ke bërë paçavure këtë komision”, i tha Bode-Braçes. “Kush je ti që bën këto komente”, reagoi nga ana e tij kryetari i komisionit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) .

Redaksia online
(s.m/shquiptarja,com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

E kryer/ Bayern Munich zgjedh një 38-vjeçar për rolin e trajnerit

E kryer/ Bayern Munich zgjedh një 38-vjeçar për rolin e trajnerit