Qeveria pa vula, nuk bëhen
dot shkarkime dhe emërime

Qeveria pa vula, nuk bëhen<br />dot shkarkime dhe emërime
TIRANË - Qeverisë i ka humbur “vula”. Pjesa më e madhe e ministrive, sidomos ato që janë ndarë dhe janë krijuar edhe me emërtime të reja, kanë probleme me emërimet dhe shkarkimet që po bëhen në administratë.
Bëhet fjalë për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga ministri Edmond Haxhinasto dhe që me qeverinë “Berisha” ka pasur një tjetër emërtim dhe një tjetër vulë. Zoti Haxhinasto, derisa të ketë vulën e institucionit që drejton, nuk mund të heqë, dhe as nuk mund të marrë askënd nga puna, edhe pse ka vendosur të bëjë ndryshimet përkatëse në dikaster.

Një tjetër ministri që është prekur nga virusi i “humbjes së vulës” është Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Eglantina Gjermeni, në pozicionin e ministrit, është duke qëndruar me të njëjtin dikaster me Haxhinaston, derisa të vendoset nga qeveria se cilat do të jenë zyrat e reja. Por, përveçse është vendosur në gjysmën tjetër të ministrisë, dhe përveçse është vendosur në një zyrë ministri, duket se ka probleme me emërimet dhe shkarkimet.
“Kemi shumë probleme. Shkresat dhe raportimet i bëjmë te ish ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve e Turizmit. Problemi është se aty me gojë, por jo me shkresa, na thonë se duhet të orientohemi te ministria e re. Askush nuk na ka thirrur. Askush nuk kërkon asnjë informacion. Deri tani, mund të them se jemi në ajër” thotë një zyrtar i turizmit, i cili nuk do të identifikohet, edhe për shkak të frikës që ekziston nëse duhet të qëndrojnë në punë apo jo.
Zonja Kumbaro, duket se nuk e ka të thjeshtë po ashtu të marrë në punë këshilltarët e rinj, apo të shkarkojë të vjetrit. Vula e institucionit që ka qenë më parë, nuk “pi më ujë”, me institucionin e ri që është krijuar. Zonja Mirela Kumbaro, drejton ministrinë e Kulturës, por ka probleme se nuk pranon asnjë shkresë për turizmin. Madje, edhe vetë, nuk ka një “vulë”.

Situata paraqitet po aq keq te ish-METE. Ka më shumë se një javë që qeveria e re ka marrë detyrën, dhe brenda atij dikasteri, bashkëjetojnë dy ministra. Damian Gjiknuri , Ministër i Energjisë dhe Industrisë, si dhe Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë e Sipërmarrjes.
“Vijmë vërdallë nëpër korridore. Sigurisht, stafet e reja të ministrave të rinj kanë ardhur. Por organigramat, e për më tepër emërimet, nuk janë bërë ende gati. Duhet të përpiqemi shumë për të protokolluar letra e shkresa, për të vazhduar punën si institucione, por askush nuk na jep asnjë informacion. Madje, as sekretaret e ministrave”, thotë një zyrtar i ish-Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Të njëjtin problem ka edhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Sepse edhe për institucionin që drejtohet nga Erion Veliaj, kërkohet një vulë e re, e cila deri tani nuk ekziston. Edhe Bledi Çuçi i çështjeve vendore ka të njëjtin problem me mungesën e vulës.
Në këtë situatë, duket se asnjë nga ministrat e rinj, nuk ka të drejtën e marrjes në detyrë apo shkarkimit nga detyra të stafeve qoftë edhe politike. Madje, nuk ka të drejtë edhe të pranojë dorëheqjet e këtyre personave, për sa kohë që vulat e reja nuk ekzistojnë për të bërë ndryshimet përkatëse.
Konfirmimi
Pjesa më e madhe e zyrtarëve thonë se për vulat e reja të të gjithë institucioneve do të japë përgjigje kryeministri Edi Rama. Ai do të miratojë logot e reja, por edhe mënyrën sesi do të funksionojnë. Ndërkohë ministrat janë ngarkuar me detyrat për paraqitjen e organigramave të ministrive të reja, të cilat sigurisht do të kenë ndryshimet përkatëse.
E meqë deri tani Artan Lame e Artan Shkreli janë marrë me gjithë rregullimin dhe arrendimin e këshillit të ministrave, janë po këta, sipas burimeve, që do të merren edhe me konfirmimet e vulave të reja të ministrive të reja, për mënyrën sesi do të ideohen dhe sesi do të miratohen. Por duket se prioritet është këshilli i Ministrave. Madje, Edi Rama, kryeministri, kur të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të gjejë ambiente të ndryshuara të qeverisë. Pas kësaj, gjithçka do të përqëndrohet në mënyrën sesi do të rregullohen çështjet e tjera dhe funksionimin e ministrive.
 
Ministritë që kanë vulë
Zv.kryeministri
Ministri i Brendshëm
Ministër i Mbrojtjes
Ministri i Jashtëm
Ministri i Mjedisit
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave
Ministër i Shëndetësisë
Ministër i Drejtësisë
Ministër i Financave
Ministër i Integrimit Evropian
 
Ministritë pa vula
Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Ministër i Zhvillimit urban dhe Turizmit
Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Ministër i Arsimit dhe Sportit
Ministër i Kulturës
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike
Ministër i Energjisë dhe Industrisë
Ministër shteti për Çështjet vendore

Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Pulja/ Nervozizmi tradhton korrierin shqiptar, i sekuestrohen 17 kg kokainë në makinë! Pakot me figurë demi, vlera 2 mln euro, pranga 50-vjeçarit

Pulja/ Nervozizmi tradhton korrierin shqiptar, i sekuestrohen 17 kg kokainë në makinë! Pakot me figurë demi, vlera 2 mln euro, pranga 50-vjeçarit