Ministrja Delina Ibrahimaj tha sot se qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 8 milionë eurosh për të ndihmuar bizneset në hartimin e planeve të biznesit, në mënyrë që sa më shumë projekte të përfitojnë nga skema e financimit.

Sipas saj, janë hapur edhe dy linja këshillimi për bizneset, ndërsa në zonat rurale informacioni dhe asistenca do të ofrohen përmes agropikave të AZHBR-së. Ibrahimaj tha se, në rastet kur një aplikim kthehet nga banka për shkak se plani i biznesit nuk plotëson standardet, qeveria do të ndërhyjë përmes agropikave ose ekspertëve të kontraktuar nga UNDP për ta përmirësuar atë.

Ministrja shtoi se qeveria është e gatshme, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, të trefishojë fondin për garancinë sovrane nëse kërkesa nga bizneset do të vijojë të rritet.

"Duam që mbështetjen për biznesin ta kemi sa më të madhe. Kemi hapur dy linja këshillimi. Për zonat rurale po bashkëpunojmë me AZHBR-në, në mënyrë që të gjitha agropikat e shpërndara në terren të japin informacion për këtë kredi, por edhe të këshillojnë bizneset për hartimin e planit të biznesit. Kemi vënë në dispozicion një fond prej 8 milionë eurosh për të mbështetur hartimin e planeve të biznesit, në rastet kur nevojitet asistencë shtesë. Pra, kur banka e kthen mbrapsht një aplikim, sepse plani i biznesit nuk është sipas standardeve, ne do të ndërhyjmë përmes agropikave ose ekspertëve të kontraktuar nga UNDP, në mënyrë që çdo ide e biznesit të ketë mundësi të financohet. Gjithashtu, së bashku me Bankën e Shqipërisë, jemi të gatshëm ta trefishojmë fondin për garancinë sovrane, në varësi të kërkesave që na vijnë nga biznesi.” tha Ibrahimaj 


Lajmi kryesor:

Interes i lartë për skemën 'Dyfisho Sipërmarrjen Tënde', Rama: 400 biznese në proces, janë miratuar 32 kredi me vlerë 5 milionë euro