Qeveria rikthen bastet sportive online, 10 licenca në rang kombëtar! Rikthehen dhe reklamat në mediat elektronike e emisionet sportive në TV

Qeveria i ndez dritën jeshile rikthimit të basteve sportive online. Këshilli i Ministrave miratoi më 19 korrik ndryshimet në pr/ligjin për lojrat e fatit sipas të cilit parashikohet që aktiviteti i lotarive sportive nuk do të jetë më në pika fizike të lotove, por vetëm online.

Baste online ne smartphone, tabletë e aplikacione
Bastet online do të luhen nëpërmjet smartphone, tabletëve, Ipad-ëve, laptop-ëve, por pa u kufizuar vetëm në to. Gjithashtu mundo të luhen në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e aktivitetit “baste sportive on-line. Këto plataforma do të autorizohen nga Komisioni i Licencimit, që do të ngrihet në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, (AMFL)

10 licenca në rang kombëtar
Në pr/ligjin e ri licenca e ofrimit të basteve online do të jetë e kufizuar. Në të gjithë vendin nuk do të jepen më shumë se 10 licenca.
Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Gjithashtu duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.

Gjithashtu duhet të jetë shoqëri aksionere me seli në territorin e Shqipërisë dhe të jetë i regjistruar në QKB, në objektin e veprimtarisë për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”.  Sistemi ku do të zhvillohen lojërat “bastet sportive on-line duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm online    nga AMLF-ja.

Kapital jo më pak se 40 milionë lekë, të deklarojë burimin
Në pr/ligjin e ri është dyfishuar kapitali që duhet të ketë subjekti për të marrë licencën. Subjekti duhet të ketë një kapital jo më pak se 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës.

 Gjithashtu duhet të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste sportive on-line”. Nëse aksionarët e subjektit aplikues janë individë, ata nuk duhet të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk duhet të jenë në ndjekje penale për evazion fiskal dhe/ose doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personin në nderin e personalitetin e tij.Nuk duhet të jetë as debitor ndaj institucioneve shtetërore.

Aplikimi për licencë kushton 500 000 (pesëqind mijë) lekë e cila  kalon në favor të AMLF-së dhe është e pakthyeshme pavarësisht aplikimit të suksesshëm apo jo të subjektit.”

Tarifa e licencimit, dyfishohet për bastet online
Ndryshime parashikohen dhe në tarifën e licencimit.Bastet sportive on-line dhe baste për garat në pistë, për të gjithë periudhën e licencimit, është 400 000 000 (katërqind milionë) lekë, në krahasim me 200 000 000 (dyqind milionë) lekë që parashikoheshin në ligjin e mëparshëm për baste sportive dhe baste për garat në pistë”

Konkurs për fitimin e licencës
Dhënia e licencës për ofrimin e basteve on-line do të bëhet me konkurs që do të hapet nga AMLF. Komisioni i Licencave brenda 10 ditëve nga përfundimi i procesit të përzgjedhjes miraton listën e pjesëmarrësve në konkurim, duke renditur, sipas pikëve të marra.  Kandidati, i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve, shpallet fitues.Ndërkohë ministri Financave miraton dhënien e licencës, pasi aplikanti i shpallur fitues të ketë paraqitur, brenda 30 ditëve, plotësimin e kriterit të lidhur me fondin e garancisë.

120 milionë të ngurtësuara, garanci për fituesin e lojërave të fatit
Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori i  “Baste sportive on-line” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 000 000 (njëqind e njëzet milionë) lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit.

50 milionë garanci për shteti
Gjithashtu për e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi tatimeve dhe AMLF-së, organizatori i kategorisë “Baste sportive on-line” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të AMLF-së. Edhe ky zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Kthehet publiciteti në mediat elektronike dhe emisione sportive në TV pas orës 22:00
Ndryshe nga ligji i mëparshëm me ndryshimet e reja do të lejohet publiciteti në mediat elektronike dhe faqet online të autorizuara të këtyre subjekteve.
Do të lejohet publiciteti të kryhet edhe në median audiovizive nga organizatorët e lojërave të fatit “baste sportive on-line”, gjatë kohës së transmetimit të eventeve sportive si dhe gjatë kohës së transmetimit të programeve sportive të lidhura me këto evente sportive që transmetohen në intervalin kohor 22:00 - 08:00, si dhe vetëm në kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe në rregulloren e miratuar nga Komisioni i Licencave.

Por ndalohet publiciteti i aktivitetit të lojërave të fatit gjatë edicionit të lajmeve dhe programeve informative që lidhen me politikën. Gjithashtu publiciteti nuk duhet tu adresohet të miturve dhe duhet të përmbajë dukshëm frazën “Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur”.Komisioni i Licencave  miraton rregulloren e lojës së fatit “baste sportive online” të propozuar nga organizatori dhe formatin dhe rregullat e transmetimit të publicitetit të lejuar të lojërave të fatit, pas marrjes se mendimit të   AMA-s.”.

Do lejohet të sponsorizohen skuadra portive, publicitet në stadiume
Subjektet e licencuara për lojëra fati lejohen të sponsorizojnë skuadra sportive si dhe të bëjnë publicitet të aktiviteteve të tyre në vendet ku zhvillohen veprimtari sportive, me përjashtim të eventeve sportive të të gjitha disiplinave për kategoritë nën 21 vjeç.

Do mbështeten projetektet sportive e të kulturës
AMLF do të krijojë dhe një fond të posaçëm për të ardhurat e përfituara nga bastet sportive online të cilat do të shkojnë në mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqituara nga institucionet shtetërore.

Reklamat e kazinove të hoteleve me 5 yje dhe në porte e aeroporte
Po kështu publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino” edhe në ambientet e porteve dhe aeroporteve, sipas kushteve të parashikuara në rregulloren përkatëse, të miratuar nga Komisioni i Licencave.‘

Lejohet tabelat orientuese drejt kazinove në hotele me 5 yje ose report kazino
Po kështu lejohet vendosja e materialeve vizuale, shenjave apo tabelave orientuese nga ana e organizatorit të lojërave të fatit të kategorisë  “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino”, vetëm në hyrjen qendrore në kazino. Në çdo rast, tabela mund të përmbajë vetëm emrin apo brand-in e kazinosë dhe shigjetën drejtuese të orientuar drejt hyrjes së kazinosë.

Kush ka në dorë licencat e basteve sportive online?
Pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit do të ngrihet komisioni i Licencave, për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në lidhje me aktivitetin e lojërave të fatit.  Organizimi i punës dhe i veprimtarisë së komisionit bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Në përbërje të këtij komisioni do të jenë

Kryetari është njëri nga 2 përfaqësuesit e ministrisë së Financave
Dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për Financat;
Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për Ekonominë;
Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për Çështjet sociale;
Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Anëtarët e Komisionit caktohen një herë në katër vjet. dhe Ministrat mund të caktojnë si anëtarë edhe persona që nuk ushtrojne funksione publike dhe që kanë jo më pak se 5 vite përvojë pune.  Anëtarët e komisionit kanë detyrim të nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit dhe deklaratën e mungesës së konfliktit të interesit, rast pas rasti.

 Kujtojmë se lotot sportive në vendin tonë u mbyllën më 1 janar 2019 por ato online në mënyrë të paligjshme kanë vijuar me gjithë aksionet e shpeshta të policisë për ti gjurmuar dhe ndaluar. Kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli ka qenë një ndër personat që ka këmbëngulur shumë për kthimin e basteve online por që të kenë kontroll të rreptë. 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Projektligji

 

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) LIGJ nr. 155 2015 datë 21.12.2015 Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dion: 20/07/2023 12:27

    Pse kane qene te mbylluara bastet...!!!

    Përgjigju
  • Bastexhiu: 20/07/2023 10:43

    Ka ngelur shteti pa breke.

    Përgjigju
  • Gazepi: 20/07/2023 10:10

    Shikoni mire mos eshte gjalle vis martini se do ju duhet me i blloku prap bastet.

    Përgjigju
    • Or Teeeejjjjj: 20/07/2023 10:24

      Shteti nuk pyt per individe or teeeejjj

  • Kot: 20/07/2023 09:49

    Ky esht mhb kot sa rendsi i japin.ska pika fizike shnet

    Përgjigju
  • Nadir: 20/07/2023 09:19

    Me vonese po ma mir von sesa hiç!

    Përgjigju
  • Sondazhi: 20/07/2023 08:59

    Sidomos reklamat duhen se s'po ka më tendera për tv e shkreta, me çfarë t'i mbajë Fuga.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve