TIRANE- Faturat e reklamave për median do të taksohen me 20% të vlerës nga shteti. Rikthehet kështu situata e mëparshme në shtypin dhe televizionet private, duke bërë që në këtë sektor të ndryshojë në ulje sasia e financimeve nga klientët. Kjo është një ndër risitë, e prezantuara dje për grupet e interesit, nga ministria e Financave, në kuadër të ndryshimit të ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Ndërkohë, nuk do të tatohen furnizimet për median, të tilla si shtypshkronjat, etj.

Para se të shkojë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, drafti po diskutohet me subjektet, të cilët parashikohet të parashtrojnë vërejtjet e tyre. Risi të tjera përbëjnë heqja e TVSH-së mbi siguracionet e të gjitha llojeve, por edhe rivendosja e këtij tatimi për hekurin e çimenton që përdoren nga ndërtuesit e HEC-eve dhe për operacionet hidrokarbure, vendosja e TVSH-së për shitjen e punimeve artistike, në ankandet, në veprimtarinë e agjentëve turistikë.       

Shëndetësia dhe ilaçet do të vijojnë të mbeten të përjashtuar nga TVSH. Operacionet e përjashtuara sipas këtij ligji janë: shërbimet shëndetësore dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të lidhura ngushtë me to, të kryera si nga institucionet shëndetësore publike dhe nga ato private, por këto të fundit duhet të kryejnë shërbimin në kushte sociale të krahasueshme me ato publike që të përfitojnë nga përjashtimi.

Përjashtohen nga TVSH edhe shërbimet e mjekëve në kuadër të ushtrimit të profesionit të tyre, të licencuar nga autoriteti kompetent shëndetësor, shërbimet e stomatologëve dhe laborantëve dentarë në kuadër të ushtrimit të profesionit, furnizimi i organeve, gjakut, qumështit njerëzor, shërbimet dhe mallrat që kanë të bëjnë me ndihmën sociale, mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, furnizimi i shërbimeve sportive, kulturore kur këto shërbime kryhen nga organizata pa qëllim fitimi dhe me çmime të cilat, nëse nuk janë të aprovuara nga institucionet përkatëse, janë jokonkurruese.

Po kështu, për shërbimet arsimore nuk do të ketë ngarkesë me 20% të TVSH-së.
Sipas ministrit Shkëlqim Cani, “synimi i këtyre ndryshimeve është përshtatja me standardet, praktikat më të mira, sidomos me të BE-së, se gjithmonë aspirata e afërt është të hyjmë së shpejti në këtë Union”.