Qeveria shpalli të premten gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, pas krizës globale. Në vendimin e këshillit të ministrave thuhet se gjendja e emergjencës do të zgjasë deri në 15 prill 2022, kur është edhe periudha që pritet të kulmojë kriza energjetike.

Qeveria njofton ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.

Vendimi është botuar menjëherë në fletoren zyrtare, dhe nga ky moment pezullohen të gjitha planet e investimeve të KESH-it, OST-së dhe të OSHEE-së, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Sipas vendimit këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër në mënyrë që të shmanget rritja e menjëhershme faturës së energjisë si pasojë e importit, është ngarkuar Ministria e Financave që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.

Nëpërmjet këtij vendimi Ministria e Financave duhet të siguroj fondet e nevojshme për të blerë energji nga jashtë, dhe për të garantuar buxhetin e domosdoshëm, ministria mund të bëj alokime fondesh, mund të shkurtoj shpenzimet në institucionet apo mund të pezulloj shpenzimet e parashikuara për projekte të ndryshme, që nuk konsiderohen prioritare. Opsioni tjetër i ministrisë është edhe marrja e kredive nga partnerët ndërkombëtar.

Vendimi i qeverisë per shpalljen e emergjencës për energjinë