TIRANE- Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë këtë fundvit shtresat në nevojë dhe pensionistët. Lajmi u konfirmua nga Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Në mbyllje të diskutimeve për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm Braçe tha se qeveria ka një lajm të mirë për të gjithë pensionistët dhe shtresat në nevojë. Sipas tij, Ministrat respektivë që mbulojnë fushën Ministri i Mirëqënies Sociale, Financave dhe Ekonomisë po merren me shqyrtimin e kësaj çështje dhe do të përfitojnë e gjithë shtresa e pensionistëve, invalidëve etj që përfshihen në grupin e shtresave sociale që trajtohen nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Në dijeninë time Ministrat respektivë që mbulojnë fushën, Ministri i Mirëqënies Sociale, Financave dhe Ekonomisë po merren me shqyrtimin e kësaj çështje dhe unë besoj që qeveria do të ketë një lajm shumë të mirë për të gjithë shtresën e pensionistëve, invalidëve etj që përfshihen në grupin e shtresave sociale që trajtohen nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale”, tha Braçe.
 
Administrata
Ndërkohë që lidhur me punonjësit e administratës publike, Kreu i Komisionit të Ekonomisë deklaroi se do të shpërblehen vetëm në bazë të performancës.

“Edhe vitin që shkoi ne nuk shpërblyem në total administratën. Kemi shpërblyer vetëm në sektorë si arsim, shëndetësi, mjedis, polici e shtetit, zjarrëfikës etj me radhë që kanë pasur rezultate dhe kontribute gjatë vitit ushtrimor dhe buxhetit të shtetit në 2014. Besoj se duhet të përbushim detyrimet tona përkundrejt kategorive sociale që janë në nevojë dhe duhet të përmbushim detyrimet tona ndaj atyre kategoriëeve të shërbimeve publike që vërtet kanë shërbyer dhe kanë arritur rezultate në shërbimin e tyre përkundrejt qytetarëve të Shqipërisë. Më shpërblime që hani të gjithë dhe pini të gjithë nuk mund të ketë”, theksoi Braçe.
 
Policia
Ndërkohë që një ditë më parë u bë me dije se në total rreth 700 efektivë të policisë mund të përfitojnë nga 1 deri në 6 paga shpërblim. Në total janë 42 njësi policore, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, përfituese të shpërblimeve të ndryshme të akorduara nga kreu i policisë Haki Çako. Në njësitë përfituese të shpërblimit përfshihen komisariatet, drejtoritë vendore të Forcave Speciale, si dhe struktura të hetimit të krimeve në Policinë e Shtetit. Burime nga Policia e Shtetit thanë për Shqiptarja.com se fondi i veçantë i Policisë që përdoret për shpërblimet, duhet miratuar me VKM, pas propozimit të ministrit të Financave dhe atij të Brendshëm.

Komisioni i Ekonomisë, OK Projektbuxhetit
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar nen për nen buxhetin e vitit të ardhshëm bashkë me paketën e re fiskale. Në takimin e fundit të këtij Komisioni për këtë Qëllim, deputetët e opozitës kanë debatuar mbi faktin që nuk u morën parasysh krutikat e sugjerimet e tyre, bashkë me ato të palëve të interesit. Ish Ministri i financave Ridvan Bode shprehu edhe rezerva mbi Aktin Normativ të Qeverisë, i cili ndryshoi për herë të dytë për këtë vit treguesit buxhetorë. Ish-ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi qeverinë se me mosrealizimiet e të ardhurave gjatë këtij viti në total fondi i investimeve pakësohet me 4.5 miliard lekë.

“2.5 mld më pak ishin nga viti i kaluar dhe 2 hiqni tani, fondi i zhvillimit të rajoneve pra investime lokale pakësohen me 4.5 mld, 45 milionë dollarë. Bëni një listë projektesh këtu dhe ta bëjmë aneks të saj”, tha Bode.

Në 2014, 1.8 milionë dollarë shpërblimet e Vitit të Ri
Për pensionistët kryefamiljarë, për familjet me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuar, u akorduan 3 mijë lekë shpërblim. Pensionistët e tjerë nga 2 mijë lekë. Veteranët e të përndjekurit mbi 60 vjeç, 5 mijë lekë
 
Për vitin e shkuar, Këshilli i Ministrave vuri në dispozicion 1.8 milionë dollarë për shpërblimin e pensionistëve, shtresave në nevojë, të punonjësve të administratës me kontribut të veçantë, apo familjet e policëve të rënë në detyrë. Qeveria argumentoi se vëmendja duhet të jetë e njëjtë si ndaj personave në nevojë ashtu edhe atyre që kanë dhënë kontribut përgajtë këtij viti në arsim, shëndetësi e për sigurinë e vendit. Për pensionistët kryefamiljarë, për familjet me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuar, u akorduan 3 mijë lekë shpërblim. Pensionistët e tjerë përfituan nga 2 mijë lekë.

Për veteranët dhe për të përndjekurit mbi 60 vjeç, qeveria akordoi 5 mijë lekë shpërblim. Njësia policore e Tiranës u shpërblye me 4 mijë. Për të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe të ushtarakëve në misionet jashtë Shqipërisë, u përcaktua shpërblimi prej 10 mijë lekësh. U shpërblye trupa mësimore e 10 shkollave të rankuara të parat në klasifikimin e maturave, me 40 mijë lekë. Ndërkohë që, të gjithë nxënësit e shkëlqyer të Shqipërisë u shpërblyen me nga 5 mijë lekë. Po me 5 mijë lekë u shpërblyen edhe studentët e ekselencës. Tre shërbimet më të mira shëndetësore në Shqipëri u shpërblyen me nga 40 mijë lekë.

Shpërblim u rezervua edhe për një njësi modeste në numër, por që sipas Qeverisë dha kontribut të posaçëm në shpëtimin e njërës prej pasurive natyrore të këtij vendi, Parku Kombëtar i Divjakës me 40 mijë lekë  për person.

Vetë Kryeministri Edia Rama, ndërsa bëri publike vendimet për shpërblimet e fundvitit, argumentoi se lista e përgjithshme e shpërblimeve të Vitit të Ri “adreson nevojën për t’i qenë pranë dhe për t’ua bërë të gëzueshëm Vitin e Ri të gjithë atyre që janë në vështirësi me shuma që e tejkalojnë filozofinë e gjelit të detit, shpërblim dinjitoz që duam t’i shprehim mirënjohjen e respektit atyre që në sistemin arsimor, shëndetësor të sigurisë, kanë dhënë kontribut të posaçëm gjatë këtij viti, së bashku me heronjtë e shkëlqyer të kësaj kohe të Shqipërisë nxënësit me 10-a dhe studentët e ekselencës”. 


Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)