TIRANË- Qeveria Shqiptare ka shpallur “NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin rus Alexey Krivosheev, me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID.

Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme, thuhet se në drejtim të Krivosheev ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme dhe pavarësisht paralajmërimeve të bëra, diplomati nuk ka reflektuar, madje ka vijuar me sjelljen e tij neglizhuese. Një gjë e tillë, sipas ministrisë ka nisur që në prill të 2020, në muajin e parë të pandemisë, si edhe ka vijuar edhe në fillim të këtij viti, pavarësisht paralajmërimeve të shumta që kishte marrë.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare urdhëron Krivosheev të largohet nga Shqipëria brenda 72 orëve, duke kërkuar mirëkuptimin e palës ruse lidhur me këtë vendim.

“Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo. Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona", thuhet në njoftim. 

Mediet ruse shkruajnë se ambasada Ruse në Shqipëri konsideron të pabaza akuzat ndaj diplomatit rus, Alexey Krivosheev, të dëbuar nga qeveria shqiptare me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID.

Duke cituar burime nga ambasada në Tiranë, mediet ruse shkruajnë se selia diplomatike në Shqipëri, së pari i konsideron akuzat të pabaza dhe së dyti thotë se nxjerrja e emrit të zyrtarit bie ndesh me praktikën ndërkombëtare diplomatike.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Jashtme
Qeveria Shqiptare dëshiron forcimin e marrëdhënieve miqësore me Federatën Ruse, dhe shpreh keqardhje që vullneti i mirë i të dyja palëve është cenuar nga veprime individuale, të përsëritura të personelit diplomatik rus në Tiranë, në mosrespektimin e masave të marra nga autoritetet shqiptare, për mbrojtjen e popullsisë ndaj COVID-19.

Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë.

Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten.

Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mos përsëritjen e shkeljeve. Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej.

Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.

Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e dosmosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo. Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Qeveria shqiptare shpalli diplomatin 'non grata', mediet ruse: Ambasada i konsideron akuzat të pabaza! Tirana bëri 2 shkelje

Mediet ruse shkruajnë se ambasada Ruse në Shqipëri i konsideron të pabaza akuzat ndaj diplomatit rus, Alexey Krivosheev, të dëbuar nga qeveria shqiptare me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID.

Duke cituar burime nga ambasada në Tiranë, mediet ruse shkruajnë se selia diplomatike në Shqipëri, së pari i konsideron akuzat të pabaza dhe së dyti thotë se nxjerrja e emrit të zyrtarit bie ndesh me praktikën ndërkombëtare diplomatike.

"Ne i konsiderojmë të pabazuara të gjitha akuzat ndaj diplomatit rus të dhëna në këto dokumente. Ne gjithashtu vërejmë se shënimi në njoftimin për shtyp të emrit dhe mbiemrit të punonjësit tonë bie në kundërshtim të ashpër me praktikën ndërkombëtare diplomatike. Ministria e Jashtme ruse është njoftuar", tha misioni diplomatik për agjencinë ruse.