Gjatë mbledhje, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar shumë vendime të marra pas datës 23 qershor, si dhënie hidrocentralesh me koncesion, disa vendime të Ministisë së Mbrojtjes, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
Në vendimin për ligjin e “Nëpunësit civil” thuhet:
Akti normativ për disa ndryshime në ligjin "Për nëpunësin civil".Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr.152/2013, "Për nëpunësin civil", pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë nenin 70 dhe 72, si më poshtë vijon.
Neni 70
Ligji nr.8549, dt 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil", dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen nga data e fillimit të shtrirjes së efekteve të këtij ligji.
Neni 72
Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji zbatohet ligji nr.8549, datë 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil".
VENDIME TE QEVERISË
Projektvendime për shfuqizimin e një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave, të marra në periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit, që kanë të bëjnë me koncesione në fushën e energjisë dhe burimeve natyrore, si edhe në dhënien e pasurive publike në përdorim enteve private.
Më poshtë, gjeni të plotë rendin e ditës dhe vendimet e plota të marra nga Këshilli i Ministrave:
1. Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
PROJEKTVENDIME:
2. Për disa ndryshime në vendimin nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
KRYEMINISTRI
3. Për revokimin e emërimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave dhe për shfuqizimin e vendimit nr.310, datë 19.4.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Statistikave”.
KRYEMINISTRI
4. Shfuqizimin e vendimit nr.718, datë 28.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit paraprak për lejimin e punësimit, pas lirimit nga detyra, të një anëtari të bordit të komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”.
SHMANGIA NGA KONFERENCA
Ligji për statusin e nëpunësit civil, i cili hyn nesër në fuqi, nuk është përfshirë në diskutimet dhe vendimet që janë marrë sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Mospërfshirja e këtij ligji mund të jetë një rrugë e zgjedhur për të shmangur përplasjen e menjëhershme me opozitën në parlament seancën e së enjtes. Ligji, i cili nuk ka asnjë akt nënligjor të përgatitur nga qeveria paraardhëse, ndërkohë që miratimi i një akti normativ nga ekzekutivi për të shtyrë hyrjen në fuqi nesër do t’i jepte kohën e mjaftueshme qeverisë për ta amenduar atë. Por burime pranë së djathtës bëjnë të ditur se nëse ky ligj do të futet në diskutime qoftë në komisione apo dhe në seancë plenare, ata do të mbajnë një qëndrim bojkotues ndaj diskutimeve.
ORA 18:00 NIS MBLEDHJA E KESHILLIT TE MINISTRAVE
Deri tani njoftohet se kanë mbërritur në Kryeministri pjesa më e madhe e ministrave.
Qeveria pritet të miratojë sot edhe fushën e veprimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, drejtuar nga ministri Arben Ahmetaj dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, drejtuar nga ministrja Eglantina Gjermeni.
Sipas gazetarit të ‘A1 Report”, Granit Sokolaj, nga Kryeministria një nga vendimet që përflitet se do të merret sot është një akt normativ, që shtyn ligjin për statusin e nëpunësit civil.
Sipas burimeve të Sokolajt, priten edhe disa vendime për shkarkime drejtorësh në ministri të ndryshme dhe emërime zv/ministrash, të paktën një pjesë e tyre.
Por nëse janë të sigurta fushat e veprimit për dy ministritë e lartpërmendura, miratimi i aktit normativ dhe emërimi i zv/ministrave nuk janë ende të sigurta.
Redaksia Online
(ac/mag/shqiptarja.com)