Ish ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi ka deklaruar në Report Tv se qeveria transitore është kusht për opozitën në mënyrë që të krijohet një minimum besimi për të gjitha palët. I ftuar në emisionin "Pa Protokoll", Bumçi tha se një qeveri besimi është e nevojshme por Rama e pengon këtë gjë, pasi nuk ka vullnet të zhvillojë një reformë zgjedhore të mirëfilltë.

"Ne i qëndrojmë kushtit për qeveri transitore pasi kjo qeveri ka treguar se nuk mund të organizojë zgjedhje. Maqedonia është një shembull shumë i mirë, nuk ka asnjë arsye pse një qeveri teknike të mos organizojë zgjedhjet për të krijuar një minimum besimi për të gjitha palët. Ai që e pengon është Rama.", tha Bumçi.

Në lidhje me arritjen e një marrëveshje për reformën zgjedhore, Bumçi tha se qeveria nuk ka vullnet ta bëjë këtë reformë dhe kjo duket qartë nga kushtet e shtuar nga Bundestagu ku nga 9 kanë shkuar në 15.

"Që nga momenti që Bundestagu vendosi 9 kushte ramë dakord për t'u ulur për Zgjedhoren. Propozimeve tona të bëra para pandemisë, qeveria nuk i ka dhënë asnjë përgjigje nuk ka treguar interes. Qëndrimi i mazhorancës tregon mungesë serioziteti dhe angazhimi, qeveria nuk ka dashur të ecë para me asnjë reformë prandaj nga 9 janë bërë 15 kushte. Shtimi i këtyre kushteve janë dëshmia më e mirë se qeveria nuk ka vullnet", tha Bumçi.