Qeveria ka marrë vendimin që të rrisë pagat e punonjësve të policisë, policëve të burgjeve, zjarrfikësve, Gardës së Republikës dhe punonjësve të administratës publike. Këtë e bëri me dije kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave duke thënë se rritja e pagave bëhet për të mbështetur të gjithë ata që janë në krye të detyrës. Rritja do të reflektohet në pagën e ardhshme që do të marrin të gjithë këto kategori.

Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se do të mbështeten edhe shtresat më në nevojë duke nisur nga pensionet që do të riindeksohen me rritje 9.5% në raport me vitin e shkuar, familjet në ndihmë ekonomike do të kenë një rritje me 10 %, gratë kryefamiljare me dy fëmijë dhe tre fëmijë do të kenë dyfishim të ndihmës ekonomike.

Edhe për të moshuarit mbi 65 vjeç që janë në kategorinë e ndihmës ekonomike bëhet dyfishim i ndihmë. Këto vendime të qeverisë vijnë në një kohë kur vijon rritja e çmimeve prej luftës në Ukrainë ndërsa është paralajmëruar se dimri do të jetë i vështirë për shkak të krizës energjetike.

Sa i përket fatit të Ervis Martinaj, personazhit të njohur në botën e krimit, Edi Rama tha se policia e shteti nuk e ka ende një komunikim pasi nuk i ka provat e nevojshme.

Nuk kurseu një koment edhe për kritikat në lidhje me vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje duke thënë se problematika u ngrit nga vetë PS, ndaj nuk i merr parasysh ata që thonë “Ku ishit deri tani?”

Sipas Ramës, rrëzohet miti i pazareve se fshihet prapa kullave nga fakti që PS e mori vetë si vendim pa u bazuar as në politikë, media apo drejtësi. Për këtë të fundit u shpreh se ka ende korrupsion, por paralajmëroi se prokurorët dhe gjykatësit që nuk japin vendimet e duhura, do të hyjnë së shpejti në fshesën e vettingut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Rama-kritikëve: I bien fyellit në një vrimë! Problematikën e ngritëm ne, rrëzohet miti i legjendave urbane të fshehjes time pas kullave

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për kritikat që merr qeveria për vendimin e konfiskimit të ndërtimeve pa leje duke thënë se problematikën e ngriti vetë PS. Sipas tij, kjo rrëzon mitin e pazareve dhe legjendat urbane të fshehjes së Ramës prapa kullave. Ndërsa për prokurorët e gjykatësit e korruptuar, u shpreh se nuk kanë hyrë ende në fshesën e vettingut.

“Jam shumë i keqardhur dhe i mëshiroj të gjithë ata që vazhdojnë i bien fyellit në një vrimë që nuk ka asnjë lidhje me thelbin dhe rezultatin e kësaj nisme. Duke theksuar këtë problematikë nuk e ngriti as politika, as media, as drejtësia, por e ngritëm ne për një arsye të thjeshtë, sepse asnjë nga ata që ndërtojnë metra katror për qëllim fitimi nuk na mban dot lidhur me asgjë. Kjo masë rrëzon të gjithë mitin e pazareve dhe legjendat urbane të fshehjes sime apo tonë prapa kullave apo pallateve. Po të ishte kështu, askush nuk do merrte vesh gjë dhe drejtësia që duhet të veprojë do të kishte vijuar të bënte atë që ka bërë.

Ne nuk kemi vënë vetë as prokurorë as gjykatës, kemi bërë një reform për t’i pastruar, shumë prej të cilëve janë për të hyrë në fshesën e vettingut. Por fuqia e tyre ka mbaruar sepse subjektet ose duhet t’i dorëzojnë me qëllim të lirë, ose i parablejnë por me një cmim i cili e bën krejtësisht të paarsyeshme ndërtimin e mëtejshëm të metrave katror për qëllim fitimi ose do t’ju konfiskohet. Në të gjitha rastet, paguan gjobën deri në fund. Duhet të jesh me urrejtje që nuk të lë të shohësh për të akuzuar për këtë masë që i jep fund një historie shumë vjecare. E fundit që kam, ku ishit ju, pse tani? Ne këtu ishim, këtu kemi qenë dhe për këtë arsye sot, këto metra katror janë 10-fish më pak se cfarë ndodhte kur nuk ishim këtu. Kjo është betejë që nuk fitohet brenda një viti se do e kishin fituar dhe shtete të tjera si Italia, Spanja e Portugalia. Shtegun e hapur të drejtësisë ne nuk e mbyllim dot, por ne mund ta bëjmë absurd shpenzimin për të ndërtuar metra katror me qëllim përfitimi”, tha Rama.

Ora 13:13
Kur do të flasë policia për fatin e Ervis Martinajt? Flet Kryeministri Rama

\

Policia e Shtetit do të japë një përgjigje përfundimtare për fatin e Ervis Martinajt kur të ketë prova. Kështu tha Rama kur iu përgjigj sot pyetjes së gazetarit të Report Tv, Ermal Qori. 

Ai nënvizoi se për sa kohë nuk ka komunikim për mediat, domethënë që nuk janë siguruar ende provat e nevojshme.

“Di të them që në momentin e parë që policia do të ketë provat e nevojshme do të ketë edhe komunikimin. Për sa kohë nuk ka komunikimin do të thotë që nuk ka ende provat e nevojshme”, tha Rama.