TIRANE- Koalicioni i majtë fitoi 45 bashki të vendit me kontributin e 39 partive, dhe ndarja e pushtetit, që partitë preferojnë ta quajnë ndarja e përgjegjësive, është hapi i radhës. Një javë pas zgjedhjeve mësohet se mes partive të mëdha të Aleancës për Shqipërinë Evropiane nuk kanë nisur bisedimet konkrete për ndarjen e përgjegjësive, pasi ende po shqyrtohet rezultati zgjedhor dhe po llogaritet pesha dhe kontributi i secilës parti në fitoren e bashkive apo shumicës në këshillat bashkiakë.

Megjithëse ende nuk ka nisur procesi zyrtar, kjo nuk i pengon aleatët e Partisë Socialiste të kenë kërkesa dhe pretendime. Postet kryesore që pritet të shpërndahen mes aleatëve janë kryetarët dhe sekretarët e 60 këshillave bashkiakë, si dhe posti më i ri, i prodhuar nga ndarja e re territoriale, ai i administratorit. Këto pozicione pritet të menaxhohen kryesisht mes PS-së dhe LSI-së, si dy shtyllat kryesore të këtij rezultati, por në zona të caktuara me peshë elektorale, edhe PDIU , FRD dhe PDK do të kenë emrat e tyre.