Kur e la qiellin me avionë e u ul në tokë mes luleve, zhurmave, dyfytyrëshve, baltovinave bulevardeve me zhurma shumë e me semaforë të panumërt, para ferrave që na janë futur në këmbë, u bë shumë herë nostalgjik për qiejt. Që në atë kohë ai krijoi Simbolikën e Qiellit. Të Qiellit të Fjalës. Riza Lahi, një poet romancier, përkthyes i talentuar, një studiues, gazetar i spikatur që ia përpinin gazetat shkrimet e tij, po ecte në Tiranë me biçikletën. Ndoshta i qëndronte besnik Shkodrës së tij aq të njohur për këtë mjet udhëtimi. Kudo e përfaqësoi denjësisht këtë qytet të bukur. Para pak vitesh do të botonte librin poetik “Hanibales ande portas”.
Kur e pa Shkodrën e tij të përmbytur aq sa edhe loti i burrit nuk ishte turp, i erdhi më mendje ky varg. Po bënte mjeshtërisht elegjinë për Shkodrën të mbytur që donte ndihmë. E, kur iku, në një ditë fundviti, vetëm pak ditë para ditës së lindjes (16 janar 1950). Ai pikturonte si një Lasgush shkodran Bunën, Kalanë, Taraboshin. Pikturonte brigjet ulqinake, ku ishte nip se nëna e tij ishte nga Ulqini. Para pak kohësh u bashkuam në një aktivitet që dibranët bënin për artistin e tyre Haziz Ndreu. Më solli një antologji të botuar në Mitrovicë. E kishte botuar Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës, që është një nga më prodhimtaret dhe më të fuqishmet në Kosovë, krahas asaj të Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit etj. Titullohej “Poetët për Mitrovicën”. Poeti Sabit Idrizi, kryetar i kësaj Shoqate dhe kryeredaktor i revistës “Fjalë e valë“ kishte zgjedhur Riza Lahin që të përkthente në gjuhën angleze të gjithë poezitë e librit.
Kur erdhi një ditë nga Mitrovica rasti na solli që të bënim udhëtimin nga Prishtina në Tiranë së bashku për 6 orë e që na u duk kaq i shkurtër. Aty ishte edhe proza poetike e Rizait “Buna në muzg”. Kërkonte që Antologjia të promovohej në Mitrovicë ku të kishte edhe përfaqësues nga Evropa nga Tirana, Çamëria. Që ata evropianët ta kuptonin edhe artistikisht shpirtin e madh të shqiptarit liridashës. Një ditë edhe mbase mund të bëhet një aktivitet i tillë, por do të mungojë ai që i përktheu germë më germë të gjithë poezitë, miku ynë Riza Lahi. Karrigia e Rizait do të mbesë bosh. Poezia në të dy gjuhët sot lexohet nga ushtarët që ruajnë Urën e Ibrit, nga shefat e tyre, nga diplomatët, nga serbët, anglezët, amerikanët, nga shqiptarët e Tiranës e të Vlorës.
Riza Lahi ishte një shkrimtar dhe poet që i donte të gjithë pjesët e kulturës së kombit të tij, aq sa edhe Shkodrën e tij dashurore trëndafilore me jaret e papërsëritshme. Shkonte edhe në turnetë që bënin shoqata kulturore jashtë vendit si gazetar, si poet, si organizator. Përherë mbeti një shkodran hokatar. Dikur në një dialog poetik me “Motrën Tone” të Kolë Idromenos (me origjinë nga Çamëria, shprehte keqardhjen se Shkodra duket se po harronte disa vlera kulturore të krijuara në vite e shekuj. Po, Riza Lahi ishte edhe ulqinak i mirë. Një nga librat e parë që kam lexuar nga Rizai para 8 vitesh ishte “Nën hënën e Ulqinit”. Ishte nip nga Ulqini dhe thoshte se nëna e tij ishte vajzë ulqinake. Ai ishte kaq risitar edhe në vargun e tij, po dhe në atë varg që përkthente nga shqipja në anglisht.
Përkthimet e Riza Lahit
Që kur kishte nisur punë për përkthimin e poezive të sulltanëve dhe vezirëve të Turqisë, diku në një lokal bashkë me mikun tonë të përbashkët Ahmet Dorsun, një shqiptar i lindur në Turqi dhe tash romancier e poet, banor i Tiranës, më fliste me aq pasion për të. I recitonte si të ishin poezi të dala nga shpirti i tij diellor. Poezitë dashurore që kishin bërë sulltanët në jetën tyre ishin po kaq befasi sa edhe përkthimi i tij. Bukur! Kishte marrë me meritë edhe një titull të lartë të “Përkthyesit më të mirë të anglishtes në Shqipëri.” E kishte vënë si sqarim në një libër, po ai ishte shumë modest.
Ai ishte bërë vetë një Rumi me atë filozofi që po përcillte çdo ditë në atë që shkruante që fliste. Kishte disa muaj që e shqetësonte një këmbë e sëmurë. Ishte ënjtur. Ende nuk ia gjente arsyen. Veç të dhimbej Rizai. Natën, thoshte, këmba qetësohej e ditën rëndohej. Dhe kur? Kur?!!!! Kur atë e prisnin një nga një miqtë e tij të panumërt, miket që e dëgjonin me kaq vëmendje elegancën e të folurit të tij. Vazhdonte të protestonte me veten për këmbën. E sërish mbi biçikletën e tij gati proverbiale migjeniane, ecte në qytet më këmbën e sëmurë të ënjtur. Madje të shkonte edhe në Bullgari në Turqi.
Qenka pak e vështirë që të përfshish të gjithë qiejt e panumërt të Fjalës Lahiane në një ese kujtese. Ani. Duhet bërë, edhe se me pengje të mëdha, se nuk e tregojmë sa duhet atë hapësirë që kishte ai si njeri si intelektual, si njeri. I mençur në poezi, në roman (kujtoj këtu romanet e tij “Vorri i ashikut” dhe “Një serenatë korçare në Nju Jork”). Përkthyesi, miku i ngushtë i të mençurve e ka fituar plotësisht betejën me HARRESËN. Ai, flokëkërleshuri i veçantë do të mbetet përjetësisht mes kujtesës. Shpesh herë ia merrte era e qiellit ato flokë që po i thinjeshin me shpejtësi. Ishte kënaqësi që e kishim mes nesh. Është obligim për ta kujtuar. Ishte Lumturia jonë dikur dhe sot po e themi me plot gojë dhimbja jonë. Prej shumë kohësh ai do të mbetet Princi i Kujtesës qiellore të Fjalës Shqipe, Zgalemi fitimtar i qiejve të panumërt të fjalës Shqipe.
Biografia
Riza Lahi, nënkolonel i ushtrisë shqiptare në pension (lindi mw 16 janar 1950 dhe vdiq mw 31 dhjetor 2013. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore. Ka punuar si gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE-së në Tiranë. Ka fituar çmime tw ndryshme letrare dhe çmimin e përkthyesit mw tw mirw nga anglishtja
Shkrimi u publikua sot (09.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)