QIPRO - Qipriotët janë në ankth deri të enjten në mëngjes, kur është parashikuar edhe hapja e bankave në vend.

Bankat qipriote qëndruan të mbyllura, që prej disa ditësh për shkak të frikës së klientëve për të tërhequr depozitat e tyre në sasi të mëdha parash, që nga fillimi i negociatave mes Qipros dhe BE-së për paketën ndihmë prej 10 miliardë eurosh, për të shpëtuar ishullin mesdhetar nga falimentimi finaciar.

Ndërkohë shefi ekzekutiv i Bankës së Qipros Janis Kypri dhe bordi drejtues i tij janë pushuar me kërkesën e Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa Guvernatori i kësaj banke, Panicos Demetriades është kritikuar ashpër për politikat financiare të ndjekura nga institucioni i tij për të përballuar krizën.

Për të parandaluar tërheqjen masive të depozitave, që do të ishte një kolaps për sistemin banker, ligjvënësit po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së përkohshme të një ligji, që do të kufizonte tërheqjen dhe nxjerrjen jashtë vendit të shumave të parave.

Megjithatë bankat po përgatiten me shpresën se klientët e tyre nuk do të kryejnë tërheqje masive të depozitave ditën e enjte për shkak të kushteve të ashpra të vendosura nga Troika në dhënien e fondit shpëtues.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)