Ish-deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka shprehet skeptike ndaj përpjekjeve për unifikim të opozitës, duke vlerësuar se kriza që ka kapluar PD-në nuk mund të kapërcehet pa një ndryshim të thellë të brendshëm.
Në një intervistë televizive, Açka komentoi takimin e fundit mes drejtuesve të PD-së, aleatëve dhe shoqërisë civile, duke thënë se iniciativa ishte pozitive në dukje, por e dështuar në thelb, sepse “një pjesë e atyre që u ulën në tryezë janë vetë burimi i problemit”.
"Në përgjithësi opozitarizmi shqiptar, veçanërisht këta të PD-së, vazhdoj të mbetem kritike, skeptike sepse jemi në të njëjtën ligatinë politike, po kjo gjendje që na ka lënë në 11 Maj. Është shumë e vështirë nëse nuk bëjmë një transfuzion, një lëvizje, nuk mund ta ndryshojmë situatën. Iniciativa e djeshme ishte një iniciativë e mirë, por problemi është se një pjesë e tyre është se i bënin osanë Sali Berishës, ishte më shumë një qok për t’u ridimensionuar dhe për t’u thënë me zë të lartë se ky është i pari dhe do ta drejtojë opozitarizmin, pra këtë kemi vendosur të kemi", tha ajo.
Sipas saj, opozitarizmi shqiptar ka mbetur i bllokuar në të njëjtin rreth vicioz dhe nuk arrin të frymëzojë elektoratin. Ajo theksoi se pa një “transfuzion politik”, hapje ndaj zërave kritikë dhe largim nga figurat që kanë konsumuar besimin publik, PD-ja nuk mund të rikthehet si alternativë qeverisëse.
Açka kritikoi edhe mënyrën se si takimi u shfrytëzua nga disa pjesëmarrës për të riafirmuar pozicionin e Berishës, në vend që të hapte debat për reformim real. Megjithatë, ajo vlerësoi zërat e shoqërisë civile që, sipas saj, artikuluan hapur zhgënjimin dhe mungesën e shpresës që prodhon sot Partia Demokratike.
"Për herë të parë dikush, përveç këtyre që dihet dhe janë shpallur armiq të PD-së, armiq publikë që e kritikojnë dhe i duan të mirën PD-së, kishte zëra që ishin shumë të qartë në atë që kërkuan. Thonin që kjo Parti Demokratike kështu siç është nuk frymëzon, në disa raste ishin të dëshpëruar, e dinin që kjo gjë nuk do të ndodhte, por ata kishin ndërmend ta thonin me shpirt. Unë personalisht nuk kam marrë ftesë pasi jam shpallur armik publik pa e ditur pse, se kam kërkuar një opozitë të fortë. Në fakt, një pjesë e asaj tavoline është problemi, ne jemi kundër këtij problemi, i cili në fakt është pjesë e këtij problemi. Kjo e krijon edhe këtë, jo vetëm këtë lloj konflikti mes asaj dëshire që kanë një pjesë e së djathtës dhe pamundësisë për të performuar në mbështetje të së djathtës, atë konflikt që e kam dhe unë personalisht”, u shpreh Açka.
“Problemi është se ne kërkojmë zgjidhje nga të njëjtët njerëz që e kanë krijuar krizën,” përfundoi Açka, duke theksuar se pa ndryshim rrënjësor, opozita do të vazhdojë të mbetet në vendnumëro.
Komente










