QSA, reforma që shkatërroi
institutet shkencore

QSA, reforma që shkatërroi<br />institutet shkencore
Ata që para disa vjetësh u përfshinë në polemikat për Akademinë e Shkencave, as që mund ta merrnin me mend atë çfarë të ndodhte me vetë Akademinë dhe me institucionet shkencore në varësi të saj. Akademikët, që në thelb kishin si shqetësim jo aq ruajtjen e këtyre institucioneve, sesa ruajtjen e rrogave dhe të përfitimeve që buronin nga statusi që gëzonin, pothuajse të gjithë e kundërshtuan idenë e integrimit të instituteve shkencore në universitetet përkatëse. Argumenti i tyre kundër këtij integrimi ishte se në universitete nuk bëhet shkencë, ndonëse, në të vërtetë, në universitete është bërë po aq, në mos edhe më shumë shkencë sesa në institutet gjegjëse. Kritikët e Akademisë, më të flaktët prej të cilëve arritën ta quanin atë "prostitutë", kërkonin shuarjen e saj, duke mos e çuar aspak në mendje se si do të mbushej zbrazëtia që do të linte pas shembja e këtij institucioni. Kurse ata që u morën konkretisht me zhbërjen e ngrehinës së Akademisë, e rrudhën këtë në një institucion honorifik, që ka tagër vetëm mbi më pak se një duzinë punonjësish të administratës, ndërsa një pjesë të madhe të instituteve i suprimuan, duke ruajtur vetëm ato që merren me gjuhën, historinë dhe kulturën kombëtare, të cilat i bashkuan në një njësi të vetme, që e quajtën "Qendra e Studimeve Albanologjike". Projekti i reformuesve ishte që kjo krijesë të funksiononte si një qendër ndëruniversitare, dmth. që do të realizonte lidhjen më të mirë të kërkimit shkencor me mësimin në auditor. Dallimi i punonjësve të saj nga ata të universiteteve do të ishte vetëm në përpjesëtimin e komponentëve mësim dhe kërkim shkencor: për të parët ky raport do të ishte 70% punë shkencore dhe 30% mësimdhënie në universitet, ndërkohë që për pedagogët e universiteteve ky raport është i përmbysur.
Nguti në zbatimin e "reformës" pati pasoja tepër negative. Punonjës shkencorë të kualifikuar të institucioneve që u shkrinë, u hodhën në rrugë dhe, ç'është më e keqja, një pjesë e madhe e punës dhjetëravjeçare të tyre përfundoi në kazanët e plehrave ose u shpërdorua (dokumentacioni shkencor dhe arkivat e një pjese të instituteve shkencore u shkatërruan, ndërsa databazat e çmuara elektronike u zhdukën, për shkak të flakjes së kompjuterëve nëpër magazina apo vjedhjes së tyre, si ai i GIS-it të Qendrës së Studimeve Gjeografike). Pjesa tjetër e instituteve që formuan QSA-në, ruajtën dokumentacionin, arkivat dhe bazat e të dhënave, por humbën personelin teknik si dhe një pjesë të specialistëve. Pasoja tjetër negative ishte se QSA-ja u vu nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, kështu që institutet që hynë në përbërje të saj, nga institucione me liri akademike, u kthyen në një drejtori të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe punonjësit e tyre u kthyen në nëpunës që nuk mund të shprehen pa lejen e shefit. Si rrjedhim i kësaj, brenda këtyre instituteve është zbehur fryma e debatit shkencor dhe mungon shqiptimi në shtyp i specialistëve të tyre për probleme të mprehta të gjuhës, historisë e të kulturës sonë. Këtu bëjnë përjashtim historianët, që janë më aktivë, ndonëse deklarimet e qëndrimet e disave prej tyre për çështje të historisë sonë karakterizohen nga mungesa e objektivitetit shkencor dhe e frymës kombëtare.
Pavarësisht nga paradat e përvitshme të sukseseve që organizojnë drejtuesit e QSA-së, institutet e kësaj Qendre janë shumë larg asaj që duhet të ishin. Në të vërtetë, ato janë katandisur në hije të zbehta të instituteve të dikurshme. Numri i punonjësve shkencorë në to është rrudhur shumë dhe fusha të tëra kërkimesh kanë mbetur të pambuluara. Kështu, po të marrim si shembull Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që e njohim mirë, në departamentin e gjuhës kanë mbetur dy-tre profesorë, ndërkohë që fusha të tilla kërkimi, si fonetika, dialektologjia e kultura e gjuhës nuk lëvrohen më dhe sektorë si terminologjia e leksikografia janë duke u shuar. Kuptohet qartë që me organika të tilla të rrëgjuara, sado të përkushtuar dhe prodhues të jenë punonjësit e tij, ky institucion nuk mund të përmbushë detyrat që shtron sot studimi i gjuhës shqipe. Për më tepër, politikat e punësimit me baza politike e krahinore dhe jo mbi bazën e meritave shkencore, po synojnë ta bëjnë këtë institut, ndoshta edhe institutet e tjera, çerdhe militantësh dhe të paaftësh. Këto politika rrezikojnë ta kthejnë QSA-në nga një institucion që duhet të ketë si yll orientues të vërtetën objektive, në një institucion të politizuar, siç po shohim e dëgjojmë në tubime të organizuara prej QSA-së apo në përballje televizive.
Për shkak të drejtimit spontan (megjithëse ndihmës të drejtorit të "madh" janë dy akademikë), vendin e planeve perspektive të kërkimit po e zënë tematika të improvizuara dhe punonjësve të Qendrës u imponohet nga lart të hidhen në "aksione shkencore", siç po ndodh me institutin që përmendëm, punonjësit e të cilit janë përfshirë në lloj-lloj konferencash jashtë fushës së tyre, si p.sh. ajo për tekstet e gjuhës e të letërsisë, kur dihet se tekstet nuk janë objekt pune i këtij Instituti, apo konferenca për gjuhën standarde, kur aty mungon sektori i kulturës së gjuhës dhe pjesa më e madhe e punonjësve të tij, për arsye të specializimit, janë larg këtyre problemeve.
Po pjesëmarrjet e detyruara në tubime të ideuara nga "truri" i qendrës nuk janë shtrembërimi i vetëm në jetën e këtij institucioni. Një shmangie tjetër nga qëllimi i ekzistencës së QSA-së është kthimi i saj në një universitet që organizon studime të rregullta magjistrature e doktorature, dmth. në një superuniversitet(!). Aty mjediset e punës të studiuesve po kthehen në auditore dhe punonjësit e saj janë të detyruar të japin mësim fundjavavëve pa pagesë, duke mbuluar nga 4-5 disiplina. Pra, QSA-ja, që fillimisht u shpall si një qendër ndëruniversitare, e ka zgjidhur në një mënyrë krejt origjinale, po në shkelje të ligjit dhe të normave akademike, problemin e 30%-shit të ngarkesës mësimore të punonjësve të saj shkencorë. Duke qenë se këta ngarkesën mësimore nuk e realizojnë në universitet, termi "qendër ndëruniversitare" e humbet vetvetiu kuptimin. QSA-ja po kthehet, nga një qendër shkencore, në një universitet shtetëror, si një shëmbëllim i shëmtuar i Universitetit Shtetëror të Tiranës para '90-s.
Karshillëku i QSA-së ndaj universiteteve përbën gjysmën e së keqes. Më e keqja është se është prishur komunikimi me qendrat shkencore albanologjike në hapësirat mbarëshqiptare, komunikim që ka qenë një traditë e vyer e instituteve albanologjike dhe e departamenteve gjegjëse deri para zbatimit të kësaj reforme. Drejtori i kësaj qendre, një njeri që, përveç pagës, nuk e lidh asgjë me albanologjinë, lidhjet e bashkëpunimit të ndërsjellë i ka zëvendësuar me lidhje preferenciale, si me institucionet dhe me specialistët, duke përzgjedhur për pjesëmarrje në veprimtaritë e saj të parapëlqyerit e vet a të këshilltarëve të tij dhe duke shmangur ata që nuk u shkojnë pas oreksit.
Institutet shkencore janë një pasuri e vyer kombëtare që duhen ruajtur nga degradimi e shkatërrimi. U takon forcave politike të përgjegjshme t'i shpëtojnë institutet shkencore që gjallojnë ende, veçse kjo nuk mund të bëhet nga shtabe militantësh, siç u bë me reformën që u krye, po duke tërhequr mendimin e shkencëtarëve më të mirë, si dhe duke u mbështetur në përvojat botërore. Sipas nesh, për rikthimin e instituteve në normalitet ka dy rrugë: ose t'i rikthehen Akademisë, ose të integrohen si njësi autonome në departamentet gjegjëse të universiteteve, sikundër kanë qenë para se të krijohej Akademia. Bashkimi me Akademinë ka si anë pozitive se e rikthen këtë nga një institucion i atrofizuar në një qendër drejtuese dhe harmonizuese të punës shkencore në shkallë kombëtare. E keqja e vetme është se me këtë rrugë nuk arrihet integrimi i punës shkencore me punën në auditor. Rruga e dytë, kthimi në gjendjen para vitit 1972, dmth. kur institutet si njësi autonome t'u bashkohen departamenteve universitare, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme, pasi universitetet publike janë institucione ku ka liri akademike reale. Në këtë mënyrë arrihet edhe integrimi i vërtetë i kërkimit shkencor me punën në auditor, dhe jo duke e kthyer QSA-në në universitet që prodhon diploma të dyshimta.
(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Largohet në verë, Marco Reus feston finalen e Champions me tifozët: Është koha e trofeut

VIDEO/ Largohet në verë, Marco Reus feston finalen e Champions me tifozët: Është koha e trofeut