Një dokument i bërë publik së fundmi në media për një shpallje donacionesh nga QSUT për disa pajisje mjekësore, përfshirë respiratorë dhe defibrilatorë, u bë objekt debati mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Shëndetësisë.
Deputetja Erisa Xhixho kërkoi në seancë dëgjimore që ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, të japë llogari për mungesat e pajisjeve në QSUT, duke akuzuar qeverinë se e ka lënë shëndetësinë në mjerim, ndërsa me një akt normativ ka dhënë 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West.
Erisa Xhixho: Kemi kërkuar disa herë ministren e Shëndetësisë që të vijë të raportojë për situatën në Onkologjik, në Spitalin e Traumës, për urdhrin që ka nxjerrë kjo ministri për sistemin hormonal te fëmijët e me radhë. Doja të denoncoja atë publikim të QSUT-së, në një kohë që qeveria, me një akt normativ, çoi 4 milionë euro në koncertin e Kanye West, duke prekur fondin e rezervës, i cili duhet të përdoret vetëm në raste nevojash dhe urgjencash. Kjo qeveri që çon 4.2 milionë euro për një show, një qeveri e zhytur në korrupsion, ndërkohë që QSUT nxjerr këto kërkesa për donacione. Ky komision është në përgjegjësinë e tij të kërkojë llogari. Nuk ka respiratorë, defibrilatorë, brakiterapi, shiringa elektrike, 13 barela. Rama çon lekët te koncerti. Ne s’kemi PET Scan, por po japim 4.2 milionë euro për koncertin. Në vend që të blejmë ilaçe për qytetarët, ne do t’i çojmë për t’i rregulluar imazhin kryeministrit. Ato mund të shkonin për arsimin, jo të jepeshin me akt normativ, i cili përdoret vetëm në raste nevoje, në mënyrë antikushtetuese për një koncert privat. Për të blerë bileta që t’ua japim falas qytetarëve për propagandë. Ky komision duhet të kërkojë një dëgjesë, të vijë një përfaqësues i QSUT-së dhe ministrja të japin llogari për këto mungesa. Të gjitha mungesat e QSUT-së mund të ishin rikuperuar me 2 milionë euro. Ato para që shkuan për një koncert privat mund të kishin shkuar në QSUT.
Bardh Spahia: Janë stivë kërkesat drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për çështje me rëndësi jetike për qytetarët shqiptarë. Ashtu siç është skandaloz edhe përdorimi i fondeve për koncerte, ndërkohë që pacientët shqiptarë, në Onkologjik dhe jo vetëm, përballen me mangësi duke nisur nga ilaçet, aparaturat diagnostikuese dhe jetëshpëtuese. Do të jetë edhe pjesë e kërkesave për dëgjesa me ministrat, ashtu siç do të jetë edhe ai dokument skandaloz i QSUT-së që kërkon ndihmë. Dokument që ulëret për përgjegjësi madhore, jo vetëm nga drejtuesit e ministrisë, por nga i gjithë zinxhiri qeveritar.
Përgjigjen e dha nënkryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT-së është një procedurë e rregullt dhe e detyrueshme me ligj, që synon të garantojë transparencën dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.
Sipas tij, identifikimi i nevojave kalon në një proces institucional mes QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Shalsi theksoi se njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe se, aktualisht, të gjitha nevojat e listuara janë plotësuar.
Ai sqaroi gjithashtu se pajisjet e shpallura mund të sigurohen përmes procedurave të prokurimit ose të hiqen nga lista në rast se ofrohen si donacion.
Eduard Shalsi: Kolegia nuk e ka mësuar që ka një platformë donacionesh. Ka një pjesë të faqes zyrtare të QSUT-së, ku me ligj detyrohen të publikojnë nevojat dhe që quhet Platforma e Donacioneve. Çfarë është kjo platformë? Identifikimi i nevojave kalon në disa procese dhe ka një korrespondencë midis QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Pra, pjesë e procesit janë nevojat, të cilat, për shkak të transparencës, të drejtës së informimit dhe përgjegjësisë për administrimin e pasurisë publike, duhet të publikohen. Është një procedurë që ka qenë aty, njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe bëhet në mënyrë të rregullt. Sot që flasim, të gjitha ato nevoja janë plotësuar. Sepse, nëse do të konsultoheshit me specialistë të mirëfilltë, dhe jo me specialistë që kanë qenë pjesë e problemit në ministri, të cilët për një arsye apo një tjetër nuk janë më aty, do të kuptonit se nevojat fillimisht shpallen dhe më pas mund të prokurohen. Nëse dikush i ofron si donacion, ato hiqen nga procedura e prokurimit. Pra, kjo është një procedurë që mund të diskutohet nëse funksionon 100%, nëse ka nevojë të përmirësohet apo të rregullohet më mirë. Ky duhet të jetë niveli i debatit që duhet të bëjmë, nëse jemi realisht të shqetësuar për atë që mund të përmirësohet në sistemin shëndetësor.
Komente









