Autonomia financiare e QSUT do të përkthehet në përgatitje më të lartë dhe ofrimin e shërbimeve të munguara, thotë ministrja Klodiana Spahiu. Synimi, të cilin ajo e shpreh në “Studio Live” në Report Tv, është kthimi i QSUT në qendër rajonale.
Më tej, premton se do të përpiqet që çdo vendimmarrje e Ministrisë së Shëndetësisë të ketë ndikim real te qytetarët.
“Qendra Spitalore Universitare ka marrë autonominë financiare dhe ne po përpiqemi që jo vetëm nëpërmjet autonomisë financiare, por edhe çdo ndryshim që duhet bërë në bazën ligjore, ne duhet të jemi të përgatitur në kohë rekord për të realizuar që asnjë shërbim që u kërkohet sot qytetarëve ta kenë në Qendrën Spitalore Universitare, si qendër terciare, dhe që ne synojmë ta kthejmë në një qendër rajonale, të mos i mungojë.
Për këtë arsye ne kemi vendosur që në Qendrën Spitalore Universitare të kemi një shërbim të ri, që është shërbimi i geriatrise për moshën e tretë, dhe këtë shërbim të geriatrisë, në kushte modeste, të kemi mundësi ta ofrojmë edhe në katër nga spitalet bashkiake. Pse e bëmë këtë gjë? Sepse pamë që shfrytëzimi i shtratit në këto spitale bashkiake është i ulët.
Por nuk është vetëm PET Scan-i. Ne kemi sfidë edhe aparatura të tjera që duhet të hyjnë në QSUT. Është brakiterapia shumë e munguar, për të cilën po punohet shumë fort. Vetëm që duhet të më mirëkuptoni që ne e kemi filluar punën. Unë e gjeta të filluar punën njëherë, se nuk është se e shpika unë punën. Ajo ishte aty.
Jemi të vendosur që çdo shërbim të munguar, sot, Qendra Spitalore Universitare ta ketë. Do të jem e vëmendshme për çdo vendimmarrje timen dhe do të jem e kujdesshme që çdo vendimmarrje të ketë impakt te çdo qytetar shqiptar”, tha Spahiu.
Lajmi kryesor:
250 milionë lekë të reja për PET Scan-in, ministrja Spahiu: Aparatura është paguar pjesërisht, instalimi kërkon rregulla strikte










