Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit për foshnja “NAN 1 OPTIPRO”, pas konstatimit të pranisë së një bakteri të rrezikshëm i njohur si 'cereulide'.
Sipas AKU-së, pas kryerjes së kontrolleve dhe procedurave të gjurmueshmërisë, është bllokuar e gjithë sasia e produktit që ndodhej ende në qarkullim, si edhe ajo që ishte kthyer nga tregu. Produkti do t’i nënshtrohet asgjësimit ose do të kthehet në vendin e origjinës.
Edhe para disa ditësh AKU u bëri thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këto produkte të konsideruara të rrezikshme për jetën e njeriut, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë simptoma të shpejta të helmimit ushqimor, përfshirë të vjella dhe dhimbje barku.
Njoftimi i plotë:
Referuar njoftimit të subjektit importues në Shqipëri, mbi tërheqjen nga tregu të lotit të formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g, njoftim ky i bërë nga kompania prodhuese Nestle si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë, bëjmë me dije:
Të dhëna përkatëse të produktit
NAN 1 OPTIPRO 800 g,
L 51230346AE, 30/05/2027
AKU pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë ka bllokuar të gjithë sasinë në gjendje të produktit dhe atë të kthyer nga tregu me destinacion asgjësimin e tij ose kthimin në vendin e origjinës.
Gjithashtu, AKU informon se nga verifikimet në terren është konstatuar se është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorin në supermarketet ku është tregtuar ky produkt.
Komente








