"Dimri i Madh", akuzat ndaj
Kadaresë në vitin 1973

"Dimri i Madh", akuzat ndaj <br />Kadaresë në vitin 1973
Edhe pse Ismail Kadare këto ditë ka ngritur një padi civile për të venë e diktatorit Enver Hoxha, zonjën Nexhmije Hoxha, moskthimi i dorëshkrimit origjinal të romanit "Dimri i vetmisë së madhe" e ngarkon detyrimisht çështjen me një rëndësi të madhe politike. Misteri i mosdorëzimit të një gjëje kaq delikate, siç është dorëshkrimi (frymëzimi i parë) i një shkrimtari, i cili mbahet nga zonja Nexhmije Hoxha në mënyrë pirateskte, na ka çuar në kërkim të thelbit të këtij konflikti. Dihet që romani "Dimri i vetmisë së madhe" u shkrua më 1971, me synimin për t'u botuar një vit më pas. Por ai, edhe pse u pëlqye shumë nga lexuesit e kolegët e shkrimtarit, u prit shumë ashpër prej kritikës zyrtare. Ende nuk është zbardhur shkaku i gjithë sulmeve të egra ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe si e në ç'masë u bë ndalimi i sulmeve nga Enver Hoxha. Gazeta "Zëri i Rinisë" e datës 12 maj, të vitit 1973 na bënë të qartë se sulmi ishte shumë më i rëndë seç përflitet sot, shumë më i ashpër e denigrues për figurën e Ismail Kadaresë, të cilit nuk kishte shumë kohë që i kishin përkthyer në Francë, "Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur". Habitesh kur konstaton se artikujt për të shoqëroheshin me fyerje, qortime, ironi, tallje dhe sarkazëm edhe pse ishte shkrimtari më i njohur edhe në atë kohë. Ndaj romanit "Dimri..." kishte nisur një atentat i rëndë. Kritikat e para nisën me këshillat për kastrimin e veprës nga emocionet, nga qejfet e argëtimet e rinisë, nga pjesët me dashuri dhe nga gjithçka tepër sentimentale. Megjithëse kjo nuk ndodhi në të gjithë hapësirën e ribotimit të variantit të redaktuar nën titullin "Dimri i madh", 1978, ne duke rendur në arkivat e shtypit të kohës, kemi zbuluar një pjesë të misterit pse "Dimri i vetmisë së madhe", botimi i 73-it nuk u lejua të ribotohet. Çfarë e detyroi Ismail Kadarenë ta rishikonte atë në mënyrë drastike dhe të ndryshonte mjaft detaje. Nga kjo ndodhi e shumëpërfolur lind pyetja: çfarë duhet të ketë origjinali në dorëshkrim brenda që nuk e lëshon edhe sot e kësaj dite nga duart zonja Nexhmije Hoxha, e cila siç dëshmojnë arkivat është e pleksur në çështjen e sulmeve të porositura ndaj shkrimtarit. Nuk dihet ende pse sulmin ndaj Kadaresë duhet ta niste një matematikan i njohur si Frederik Shalësi dhe jo një kritik ose shkrimtar i njohur. Sesi kanë vijuar këto sulme fill pas këtij artikulli, do t'i ndjekim nga sot në numrat në vijim.

Artikulli, "Zëri i Rinisë", 12 Maj 1973
“Ismail Kadareja është një nga shkrimtarët tanë më të talentuar dhe ka futur në fondin e letërsisë artistike shqiptare mjaft vepra të mira, disa prej të cilave kanë përfaqësuar denjësisht letërsinë artistike shqiptare edhe para lexuesve të huaj. Tani së fundi shkrimtari Ismail Kadare u paraqit para lexuesit me romanin "Dimri i vetmisë së madhe". Për vetë faktin që ky roman trajton një nga periudhat më heroike dhe më të lavdishme të historisë së Partisë sonë të Punës dhe të popullit tonë, dhe nga fakti sesi është trajtuar nga autori kjo luftë, kjo histori, ka ngjallur shumë diskutime në masën e lexuesve. Prandaj do të ishte e dobishme që të hapet një diskutim për këtë roman në faqet e gazetës "Zëri i Rinisë". Në mënyrë që mendimet e lexuesit të shumtë të ndihmojnë për t'i bërë një analizë sa më të plotë këtij romani. Unë desha të jap disa mendime për këtë roman:
Së pari: Uniteti Parti-Popull, burim i gjithë fitoreve tona, nuk është vetëm një parullë që shkruhet me raste, por është një realitet që haset kudo në Shqipëri, është mishërimi më i bukur i gjithë fitoreve të arritura. Gjithmonë, që nga krijimi i saj, Partia dhe shoku Enver kanë luftuar së bashku me popullin, gjithmonë Partia e jonë e punës dhe shoku Enver kanë pasur përkrahjen e fuqishme të popullit, se ekziston ky unitet i çeliktë Parti-Popull, dhe se është e lidhur si mishi me thoin me popullin. Partia jonë gjithmonë ka fituar e do të fitojë. Edhe në periudhën në të cilën flitet në roman, Partia i bëri ballë bllokadës së bashku me popullin. E kemi jetuar atë periudhë dhe jemi dëshmitarë të heroizmit të partisë dhe të masave tona punonjëse për t'i bëtë ballë bllokadës revizioniste, e kemi parasysh luftën dhëmbë për dhëmb me revizionistët dhe koha dëshmon për fitoret tona. Si lexues duke pasur parasysh karakterin e veprave të realizmit socialist, prisja që pikërisht kjo të spikaste me forcë në këtë roman, por autori këtë nuk e ka realizuar dhe mendoj se kjo është një nga te metat themelore.
Në roman, lufta e shokut Enver Hoxha dhe e gjithë delegacionit të PPSH-së në Moskë për mbërritjen e parimeve të marksizëm-leninizmit, e dhënë nëpërmjet darkës së 7 Nëntorit, ku ishte një situatë mjaft e rëndë dhe e mbushur plot me provokime, nëpërmjet mbledhjes së 81 partive, natës së zimave të zinj, etj, është realizuar me mjaft mjeshtëri nga autori dhe mendoj se është e vetmja pjesë e mirë dhe pozitive e romanit. Faqet e tjera të romanit për mendimin tim, në vend që këtë luftë ta ngrenë akoma më shumë, e errësojnë. Dhe me të vërtetë, që në faqet e para të romanit dalëngadalë, lexuesi fillon të prezantohet me personazhe të ndryshëm të popullit dhe të disa shtresave shoqërore. Nuk ka asnjë përfaqësues të klasës punëtore, ka përfaqësues të klasave të deklasuara, Kristaqi, Xhemal Struga, Liria e Raqi përfaqësojnë brezin e vjetër, ish-partizanë. Besniku, Iliri etj, përfaqësojnë një brez të mesëm, nëse mund t'i quajmë të tillë dhe "broduejsat" na përfaqësojnë rininë. Edhe në personazhet që nuk janë negativë, nuk ka jepen anët pozitive. P.sh. Kristaqi nuk trajtohet si figurë, por e dimë që është zv. ministër dhe kaq. Struga mbetet të kujtojë me nostalgji kohën e luftës. Raqi ndryshon. Ai është element i Koçi Xoxes që vazhdon të punojë me po atë stil pune. "Broduejsit" na prezantohen si përkrahës dhe zbatues të idesë që në botë duhet bërë vetëm qejf, dashuri rrugësh, ta kalosh kohën si të mundësh. Pra, janë një grup të rinjsh imoralë.
 
Duke pasur këtë prezantim të vogël, lexuesi mendon që këta janë pasoja të depërtimit të ideologjisë revizioniste tek ne dhe shfaqen nëpërmjet këtyre të rinjve. Ai pret që më vonë në roman të luftohen këto tendenca paralelisht me luftën kundër revizionizmit, ta dalin në skenë forcat pozitive për që t'i dërmojnë këto shfaqje. Por këtë luftë nuk e hasim në këtë roman. Jo vetëm kaq, por pas mbledhjes së Moskës, pas fillimit të betejës së revizionistëve, shihen elementë negativë dhe tiparet negative të personazheve. Dhe me të vërtetë "broduejsat" vazhdojnë të përfaqësojnë në roman rininë tonë me "moralin e tyre të qejfit, ata e shohin krijimin e familjes si gjënë më të shëmtuar në jetë (kujtoni tmerrin e Torit dhe poshtërsinë që kurdis për të evituar pagesën për fëmijën!?). Dhe për të forcuar mendimin që rinia është e prirë nga qejfet, autori na fut edhe studenten që s'i ka me qejf "humoret bajate" të konvikteve!!! Pra, sipas romanit, rinia jonë, në atë kohë, ishte një rini e prirë nga qejfet, "dashuria" dhe imoraliteti. Kishte dhe një farë "emancipimi" në vajzat tona nëpërmjet cigareve në buzët e tyre, manikyrëve dhe konjakëve. Ku është rinia e vërtetë që t'i vihet "broduejsave" dhe t'i shkatërrojë ata? Ku është rinia e vërtetë që i vuri gjoksin bllokadës dhe me heroizmin dhe hovin e saj rinor u bë mbështetje e Partisë në luftë kundër revizionizmit? Partia nuk u mbështet dhe nuk kish sit ë mbështetej në një rini si ajo që është përshkruar në roman. Për brezin e vjetër: Kristaqi nuk zhvillohet më tej si figurë, ai mbetet pasiv, sidomos në jetën familjare. Xhemal Struga vazhdon të mos luajë asnjë rol pozitiv, madje as për edukimin e të birit (Arbenit), ai lihet në harresë edhe nga Besniku në fund të fundit vdes nga kanceri, shumë shpejt dhe pa lënë gjurmë në ndërtimin socialist zhduken shokët e luftës!!! Raqi zhvillohet akoma më tepër si element negativ, që përdor mjaft mirë situate e krijuara për të dëmtuar njerëzit që ai i ka inat. Me sa duket ai edhe sot e kësaj dite vazhdon të punojë sipas stilit të tij. Liria është gruaja e zv.ministrit, ish-partizane, komuniste, por e papjekur, plot me mbeturina mikroborgjeze, që problemet i shpreh gjithmonë ngushtë dhe jo parimisht (kujtoni qëndrimin negative të saj në çështjen e Zanës). Pra, dhe ky brez përfaqësohet nga elementë pa forcë, pa shpirt sakrifice, pa devotshmëri. Këta janë vallë njerëzit e luftës, me këta u çlirua vendi dhe u përmbys e vjetra. Këta vunë bazat e shoqërisë socialiste? Këta ishin mbështetja e partisë në luftën kundër revizionizmit?... Po Besniku? Pas mbledhjes së Moskës, ku ia pa madhështinë dhe forcën e Partisë sonë, e shprehur kjo nëpërmjet delegacionit të PPSH-së me shokun Enver Hoxha ne krye, ku ai pa qëndrimin parimor dhe burrëror të shokut Enver, në vend që ai të mobilizohet, të shpërthejë, të luftojë dhe të vihet në ballë të brezit të vet, ashtu siç bënë masat tona punonjëse kur u njohën me këtë luftë kundër revizionizmit, ai bie në pasivitetet, sikur nuk di se ç'bën. Hutohet në vend që të lidhet akoma më shumë me Zanën, ndahet nga ajo shumë artificialisht, s'ka besim te organizata e Partisë. Besniku nuk pranon t'i shpjegojë organizatës bazë asgjë, as Zanës, ndërsa Benit po!!) dhe autori e thellon më tej këtë negativitivizëm ku përshkruan edhe personazhe të tjerë të inteligjencës. Kjo inteligjencë, jo vetëm që paraqitet e papjekur ideologjikisht dhe politikisht, me një moral që nuk përfaqëson moralin tonë socialist, por krijojnë përshtypjen që ajo është gati ta lërë partinë në baltë, të braktisë idealet, mjafton që ata të jenë të kënaqur, të kenë mundësi të kujtojnë dhe të shijojnë dimrin rus, këngët ruse. Kujtoni mbrëmjet ne apartamente, ku debatet zhvillohen vetëm në sensin negativ, tek tuk del ndonjë mendim pozitiv, po ky zhduket shumë shpejt pa lënë gjurmë ose mbetet në kokën e ndonjë personi (monologu i njërit prej pjesëmarrësve të mbrëmjes në apartamentin Nr.141 faqe 313.315). Po kështu shkrimtarët përfaqësohen nga një R.C.imoral, kritika letrare nga Zija Shkurti i paftë dhe ambicioz, që pret momentin për t'u dukur. Veprat artistike të RC-së paraqiten të dobëta nga ana ideo- politike (poema "tek ne s'ka vjeshtë", faqe 246-247).

Viktori që është inxhinier në një uzinë, paraqitet si komunist i çoroditur, që ka mbetur në Parti për hir të vëllait dëshmor.
A mund të ishte kjo inteligjencë që përshkruhet në roman mbështetjen e partisë në luftën e saj titanike kundër revizoinizmit sovjetik? A është kjo inteligjencë përfaqësuese e inteligjencës sonë popullore? Jeta në vendin tonë tregon që jo.

Veç këtyre, ku janë masat e vërteta të popullit tonë. Klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste, Rinia e vërtetë, inteligjenca popullore mungojnë fare në këtë roman. Partia dhe shoku Enver e kanë theksuar se pa mbështetjen e fuqishme të popullit nuk do të mund të luftonim me sukses revizionizmin sovjetik dhe të dilnim fitimtarë. Së dyti: Autori ngre në roman teorinë që "Rinia le të bëjë qejf, ta kalojë kohën si të dojë, se po të vijë lufta ajo do t'i vërë gjoksin" dhe këtë tetori ai e mbron nëpërmjet zhvillimit të figurës së të riut "broduejs" Arben Struga. Për qëndrimin moral, politik, shoqëror të këtij personazhi, ne njihemi që në fillim të romanit. Ai mundohet ta kalojë kohën sipas mënyrës "broduejse" kujton me mërzi çizmen e rëndë të shatrit (fq. 37), e ndjen veten shuam keq në ambiente familjare, aq që mendon se ky do ta marrë stafetën e revolucionit. E pra i tillë është Arben Struga në moshën 19 vjeçare. Dhe ja ky i ri, dhe ja ky i ri na çohet ushtar në Pashaliman (në front dhe aty ai me pjekuri politike u bën ballë provokacioneve të ushtarëve rus. , me vigjilencë mbron bazën. Pra për të plasi lufta dhe ai i vuri gjoksin! Sesa e shtrembër është kjo teori, kuptohet lehtë. Pra edhe këtu kemi të bëjmë me një motiv jo edukues. Sidomos për brezin e ri, që tani është hedhur në luftë për të shpartalluar çdo lloj influence ose ndërhyrje të ideologjisë borgjeze dhe revizioniste. Së treti: romanin që nga fillimi e deri në fund e përshkon një frymë e fortë liberalizmi dhe imoraliteti që të revolton. Vetë zhvillimi i ngjarjeve, përshkrimi i luftës së lavdishme të partisë sonë kundër revizionizmit sovjetik paralelisht me skena nga më banale dhe imorale, është një sfond i errët që e ul vlerën e kësja lufte.

Ky liberalizëm dhe imoralitet nuk është karakteristikë e rendit tonë socialist. Rinia me të vërtetë mendon për dashurinë dhe dashuron, por ajo nuk e mendon dashurinë ashtu banale siç na e paraqet autori, ajo kupton atë dashuri që të jep forcë, që të shumëfishon energjitë. Atë dashuri që është bazë e shëndoshë e krijimit të familjes socialiste. Ndërsa në roman të gjithë personazhet për dashuri kuptojnë seksin. Ç'brutalitet dhe kjo fillon që nga Besniku që kujton me nostalgji ditë e kaluara në plazh me të fejuarën dhe mendimet e tij për martesën, me koncepte e 'broduejasve" për dashurinë, vazhdon me imoralitetin e RC-së, imoralitetin e Ana Kondakçiut, që futet në roman vetëm për të treguar se është imorale, me vargjet që flasin vetëm për imoralitetet dhe arrin kulmin në dorëzimin e Zanës armikut të klasës. Dhe sipas autorit kjo lloj "dashurie" në vitet 60-të në Shqipëri sigurohej me një numër telefoni. Çfarë liberalizmi. Kam përshtypjen që autorit i pëlqente shumë ideja e përkthimit të librit të tij për lexuesit e huaj, prandaj dhe përshkruhen gjëra siç ua do oreksi atyre. Por nuk duhet harruar në asnjë moment se shkrimtari ynë shkruan për popullin shqiptar... Në roman ka edhe pjesë të tjera për të cilat mund të diskutohet. Mund të diskutohet trajtimi i marrëdhënieve Besnik Zana që ftohen dhe ndahen shumë artificialisht pa bërë as më të voglën përpjekje për sqarim. Mund të diskutohet për trajtimin e figurës së komandantit të shtabit për evitimin e pasojave të përmbytjes, i cili s;lë njeri pa sharë. Pse kështu drejtohen masat. Po kështu edhe për figurën e Rrem Hutës dhe Belulit. Me pak fjalë, për mendimin tim ky roman nuk i shërben edukimit të masave tona punonjëse dhe sidomos brezit të ri, përveç kësja për brezat e ardhshëm ai nuk është një tregues i vërtetë i luftës, heroizmit, vetëmohimit, shpirtit të sakrificës që populli shqiptar me në krye Partinë e tij të punës tregoi në luftën kundër revizionizmit modern me atë sovjetik në krye.

Frederik Shalësi
Bashkëpunëtor tekniko-shkencor i ri pranë Qendrës së Matematikës Llogaritëse, Tiranë

(dh.h/gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ 40 vjeçari përplas me makinë për vdekje të moshuarin

Mat/ 40 vjeçari përplas me makinë për vdekje të moshuarin