"Dorëzohet" qeveria, mbyllet 
çështja e Imamit për reklamat

"Dorëzohet" qeveria, mbyllet <br />çështja e Imamit për reklamat
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është tërhequr pa zhurmë nga beteja ligjore 1-vjeçare me paraardhësin e saj demokrat, Arben Imami, duke mbyllur përfundimisht dosjen e abuzimeve të pretenduara me reklamat shtetërore.

Ministria e Mbrojtjes ndodhej në gjyq me Prokurorinë e Tiranës prej 19 nëntorit 2014, pas vendimit të kësaj të fundit për të pushuar kallëzimin penal kundër Imamit. Por konflikti mes dy institucioneve ka marrë një kthesë të papritur, kur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Arian Kraja ka dorëzuar në gjykatë një shkresë zyrtare me tërheqjen nga ankimi.

Një zyrtar i Prokurorisë i tha BIRN-it se tërheqja nga ankimi i Ministrisë së Mbrojtjes do të zyrtarizohet javën e ardhshme, në seancën e paracaktuar. Megjithatë, kjo seancë konsiderohet formale nga Prokuroria, sa kohë që Ministria e Mbrojtjes ka rënë dakord ta mbyllë procesin në gjykatë, ku kërkonte nga organi i akuzës rihapjen e hetimeve kundër Imamit.

Ministria e Mbrojtjes, e kontaktuar nga BIRN preferoi të mos komentonte arsyet që e shtynë drejt tërheqjen nga çështja “Imami”.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u padit në Prokurorinë e Përgjithshme nga Kodheli më 9 dhjetor 2013, ndërsa kjo çështje shkaktoi një stuhi debatesh në skenën politike shqiptare. Në kallëzimin penal, Ministria e Mbrojtjes e akuzonte ish-ministrin dhe 4 vartës të tij për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas kallëzimit të Ministrisë, Imami dhe 4 vartësit e tij kishin shkelur ligjin e prokurimeve publike në tenderimin e 3 spoteve publicitare dhe 3 dokumentarëve të trasmetuar në media para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Audituesit e caktuar nga Kodheli kishin llogaritur një dëm prej 1.2 milionë eurosh gjatë këtyre procedurave.

Ditën që akuzonte paraardhësin e saj, Ministrja Kodheli e cilësoi kallëzimin një padi të mirëargumentuar dhe i kërkoi Prokurorisë që të hetonte “abuzimet e mëdha me paratë publike”. Ish-ministri Imami i cilësoi akuzat një “flluskë” politike dhe hakmarrje të kryeministrit Rama.

Prokuroria e Përgjithshme ia kaloi çështjen për verifikim Task-Forcës dhe pas disa muajsh vendosi të mos nisë çështje penale për mungesë provash. Vendimi u bë shkak për takime të shpeshta dhe replika në distancë mes Kodhelit dhe kryeprokurorit Llalla.

Arben Imami ishte i pari ministër i qeverisë “Berisha” që u kallëzua nga qeveria e majtë, pas akuzave për korrupsion që ndërtuan fushatën elektorale të 2013-s prej nga Edi Rama doli fitues.

Më pas, qeveria kallëzoi në Prokurori edhe ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe një duzinë zyrtarësh më të vegjël për abuzime me detyrën, por asnjë prej këtyre proceseve hetimore nuk është mbyllur ende me një rezultat konkret.

Marre nga BIRN

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së