"Doshi", Meta: Basha "model" i
hetimeve, mbylli aferën 230 mln €

"Doshi", Meta: Basha "model" i<br />hetimeve, mbylli aferën 230 mln €
TIRANE - Përreth 1 orë e 30 minuta kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë deklarimin e tij para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat publike të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi se ka planifikuar dhe paguar për vrasjen e tij. Zoti Meta mbërriti i pari në Prokurori me ftesë të organit të akuzës në cilësinë e personit që ka pasur dijeni për planin e pretenduar nga Doshi, 6 muaj më parë, ashtu sikurse janë ftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama.

Pasi ka dhënë dëshminë tij përballë kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Adnan Xholi i emëruar në këtë post tre ditë më parë dhe prokurorit të dosjes “Doshi” Përparim Kulluri, kryeparlamentari u prononcua për gazetarët.

Sikundër opozita e ka kthyer çështjen “Doshi” në thelbin e aksionit të saj të radhës, atë të protestave për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, zoti Meta tha se nuk ka arsye për të lënë drejtimin e Parlamentit. Arsyeja e parë sipas Metës, është fakti se ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë, ndërsa argumentin e dytë ia adresoi liderit të opozitës Lulzim Basha duke i kujtuar akuzën që prokuroria dhe KLSH ngritën ndaj tij për një aferë 230 milionë euro për rrugën e Kombit.

“Ju e dini shumë mirë që e dhash shembullin duke u larguar nga qeveria. Por njëkohësisht zoti Basha bëri çdo gjë për të mbyllur çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për të treguar se si i hapet rruga hetimet”, -tha Meta.
 
Kryeparlamentari Meta u shpreh i gatshëm për të qenë në Prokurori  çdo ditë që do të jetë e nevojshme, duke theksuar nga ana tjetër se është gati të ballafaqohet edhe me Tom Doshin dhe Sali Berishën nëse organi i akuzës do ta vlerësojë të arsyeshme. Meta shkoi edhe më tej kur tha se tanimë akuzat nuk artikulohen më nga deputeti Doshi, por nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Akuzat vijnë nga doktori tani nuk vijnë më nga Toma pasi kaloi me Doktorin. Ju e dini që  para dy jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe ministrave. Pasi grupi socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij dolën akuzat kundër Ilir Metës, dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron Doktori i cili vazhdon të mbetet i preferuari im dhe të cilin e siguroj se pavarësisht nga angazhimi i tij i jashtëzakonshëm në këtë çështje absurde do ia jap fjalën pa u kursyer dhe pa  lodhur që ai t’i thotë të vërtetat çdo të enjte”, - tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Gjatë seancës plenare të së enjtes, Meta tha se në videon e Dritan Priftit është i përfshirë edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha. I pyetur nga gazetari i A1 Report Arsen Rusta nëse kryeparlametnari është pyetur në Prokurori për këtë deklaratë, Meta u përgjigj: “Këto janë çështje të tjera, do të jem këtu sa herë të më kërkojë prokuroria”.

Prononcimi i plotë i kryeparlamentarit Meta për gazetarët, i ndarë me nëntituj nga redaksia online e Shqiptarja.com

“I gatshëm të ballafaqohem me Doshin dhe akuzuesin Sali Berisha që thotë se ka prova”
Siç e shihni sapo kam përfunduar dëshminë time me thirrjen e bërë nga Prokuroria e Krimeve Rënda dje. I jam përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurorët e kësaj çështje lidhur me akuzat dhe pretendimet e Doshit dhe Berishës për tentativën gjoja për vrasjen e 2 deputetëve. Dua të konfirmoj edhe njëherë përpara jush siç konfirmova  edhe para prokurorëve, gatishmërinë time totale për të qenë në çdo moment, në çdo, ditë përfshirë edhe të shtunën edhe të dielën në dispozicion të prokurorisë, përveç të enjtes, sepse e kam shpallur ditën e Doktorit nuk kam çfarë të bëj, në mënyrë që të bashkëpunojmë me prokurorinë për hetimin e plotë të çështjes duke ju nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Kam shprehur gatishmërinë time në rast se prokuroria do ta cmojë të arsyeshme të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, zotin Doshi dhe zotin Berisha dhe cilindo tjetër që beson se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë çështje

“Videon e Tomës e beson vetëm Doktori”
Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë. Ndërsa Tomën si person besoj e keni të qartë përbën më shumë një anti-provë sesa provë juridike. Megjithatë unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor, për të dëshmuar gjithçka që di dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Ua kam theksuar disa herë prokurorëve se jam i gatshëm për çdo ballafaqim në prokurori, ashtu sikurse jam i gatshëm për çdo ballafaqim politik çdo të enjte, ju këtë besoj se e keni shumë të qartë. Se çfarë pretendon Doshi është një çështje e tij. Video e Tomës me Tomës nuk mund të përbëjë fakt serioz as vetë Toma si person në kuptimin juridik. Kam përshtypjen që përbën më shumë një anti-provë.

“Nuk dorëhiqem se s’ka akuzë, hetimi për aferën 230 mln euro të Bashës jo model për tu ndjekur”
Pse i bën këto akuza Doshi? Jam i mallëngjyer dhe i prekur shumë nga thirrja që më ka bërë mbrëmë kryetari formal i Partisë Demokratike për të dhënë dorëheqjen në mënyrë që të ndihmoj hetimet. Së pari dua t’ju theksoj se ndaj meje nuk ka asnjë akuzë. Së dyti kur kjo kërkesë vjen nga Basha është vërtetë mjaft impresionuese, sepse të gjithë e dinë që Basha i akuzuar nga një institucion si Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit një institucion tjetër, për aferën e korrupsionit me më shumë se 230 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës. Ju e dini shumë mirë që e dhash shembullin duke u larguar nga qeveria. Por njëkohësisht bëri çdo gjë për të mbyllur çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për të treguar se si i hapet rruga hetimet.

“Detyra ime nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë”
Ndërkohë Ilir Meta vërtet është kreu i Kuvendit, por Ilir Meta nga kryetar kuvendi dhe Ilir Meta deputet nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë. Se kryetari i kuvendit është 1 nga 140 deptuetë dhe nuk ka asnjë raport në asnjë institucion të drejtësisë, sic është presidenti që është kreu i KLD, që mund të pengonte drejtësinë. Unë jam këtu i gatshëm të ballafaqohem me zotin Doshi dhe zotin Berisha i cili ka thënë se ka edhe ai prova.

"Nuk kam asnjë shqetësim, Doshi do respektohet si 140 deputetët"
Deputeti Doshi do të respektohet si 1 në 140 deputetë nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, problemet e tjera të tij janë me drejtësinë dhe me politikën

“Akuzat tanimë vijnë nga Doktori”
Akuzat vijnë nga doktori tani nuk vijnë më nga Toma pasi kaloi me Doktorin. Ju e dini që  para dy jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe ministrave. Pasi grupi socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij dolën akuzat kundër Ilir Metës, dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron Doktori i cili vazhdon të mbetet i preferuari im dhe të cilin e siguroj se pavarësisht nga angazhimi i tij i jashtëzakonshëm në këtë çështje absurde do ia jap fjalën pa u kursyer dhe pa  lodhur që ai t’i thotë të vërtetat çdo të enjte.

Shkëlzeni në videon e Prifitit, Meta: Do përgjigjem sa herë të kërkojë Prokuroria
Jeni pyetur për deklarimin  djeshëm që ka video nga Dritan Prifti për Shkëlzenin? Këto janë çështje të tjera, do të jem këtu sa herë të më kërkojë prokuroria.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron