Më ka ndihmuar fati. Më ka sjelle në lagjen më të shtrenjtë të Tiranës. Dy hapa bulevardi. Aty ku ndodh gjithcka. Ku shahet kushdo. Ku ke për fat të të vendoset epitet. Bulevardi.

Jetoj dy hapa nga blloku. Parada e aristrokacisë metropolitane luan aktin e saj cdo ditë. Në paradite kollarexhinj. Kostume. Armani. Dolce. Në pasdite minifunde. Djem me brilantinë. Çuna blloku. Ah se harrova. Ku kalon edhe Bac Fino duke thithur puro.

Jetoj në një pallat ku komshiu im e shet apartamentin 1600 euro/m2. Po aq sa në një qytet të Europës. Packa se, nuk paguan administratorin. As mirëmbajtjen e ashensorit. Të gjitha taksat kolektive. Ku agjensitë imobiliare gjuajnë klientë "jabanxhinj" dhe shitesa "hallexhinj".

Jetoj në një lagje me shumë ministra. Njërin prej tyre e kam një kat më poshtë. Deputetë. Njërin prej tyre në kat. Fat i madh. S'para na ikin dritat. Po edhe ujë kemi patur. Fat. Madje 4-5 pallate me tutje edhe kryetaren e parlamentit.

Jetoj në një lagje ku ka universitet publik. Edhe privat. Ka shkollë të mesme. Me nam Petro Nini. Ku shkollohen shumë prej femijëve të komshinjeve VIP-a. Edhe fëmijë banorësh. Kemi edhe liqen se harrova. Madje edhe çadra poshtë diges. Janë të romëve. Por, jo nga Roma nga prej është dhëndërr "mbreti" i tyre, Totozani.

Jetoj në një lagje ku ka ambulancë. Edhe konsultore fëmijësh. Anipse ndahet me një mur me gomisterinë e tifozave të Tirones, afër Stadiumit "Dinamo". Aty ku shkon "per forza" gruaja apo vajza e ministrit. Deputetit. Aty ku do shkojë edhe pas ca vite edhe vajza e kryeparlamentares kur të lindë. S'ka shumë kushte të mira, po hajt të kesh ministrin e shëndetësisë në lagje është si "mullixhiu pa miell".

Jo më kot e lashë për në fund. Në lagje kemi parlamentin. Të vjetrin. Ish-komitetin qëndror. Aty ku vendosen fatet tona. Edhe të lagjes. Përballë, të pafatë, flitet se do të jetë godina e re plot 100 mln. Euro. Pra të gjitha c'ka shkruajta më lart, jane ku e ku me atë që do ndodhë në lagjen përballë. Nga krahu tjetër i bulevardit.

Kot nuk thonë: Paç fatin e lagjes tjetër!

(al.qe/shqiptarja.com)