Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Erjon Bogdani, ka shijuar fitoren e skuadrës së Sienës në udhëtim kundër Atalantas me rezultat të ngushtë 2:1. Bogdani në këtë ndeshje është inkuadruar në minutën e 81-të. Për Bogdanin 34-vjeçar, kjo ishte ndeshja e shtatë në Serie A te Siena që kur u transferua gjatë janarit nga skuadra e Cesenas. Ai ka shënuar tre gola. Me këtë fitore Siena është ngritur në vendin e dhjetë në tabelë me 39 pikë të grumbulluara.

Sulmuesi kosovar Shefki Kuqi ka luajtur tërë ndeshjen në humbjen që e pësoi skuadra e tij Oldham Athletic në shtëpi përballë Charltonit. Oldhami u mposht me rezultatin 1:0 në ndeshjen e javës së 41-të të Kategorisë së Tretë të Anglisë. Oldhami zë vendin e 17-të në Kategorinë e Tretë me 48 pikë dhe po lufton për mbijetesë. Kuqi 35-vjeçar këtë edicion ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë dy asiste në kampionat për Oldhamin.

Sulmuesi shqiptar Admir Mehmedi është aktivizuar në minutat e fundit te Dynamo Kievi që u mposht në udhëtim nga skuadra Shakhtar Donetsk me rezultatin 1:0. Ndeshja u zhvillua të shtunën në kuadër të javës së 26-të të kampionatit të Ukrainës. Kjo përballje është derbi më i madh në këtë vend. Mehmedi u inkuadrua në minutën e 87-të, kurse për të kjo ishte paraqitja e gjashtë te Dynamo. Ai në pesë ndeshjet e para ishte titullar. Për Dynamon kjo ishte humbja e parë këtë edicion, e cila ka bërë që të zbresë në vendin e dytë në tabelë. Dynamo ka 67 pikë, sa ka edhe skuadra e Shakhtarit që renditet në vendin e parë falë golaverazhit më të mirë.

Sulmuesi kosovar Albert Bunjaku është inkuadruar në finish te Nurnbergu që barazoi 2:2 në udhëtim kundër skuadrës së Freiburgut. Ndeshja është luajtur të shtunën dhe i ka takuar javës së 29-të në Bundesligë. Bunjaku në këtë ndeshje u aktivizua në minutën e 85-të. Për të kjo ishte paraqitja e 13-të këtë edicion te Nurnbergu në kampionatin gjerman. Më këtë barazim Nurnbergu ngrihet në kuotën e 32 pikëve dhe renditet në pozitën e 12-të.

Mesfushori kosovar Valon Behrami u aktivizua gjatë tërë ndeshjes te Fiorentina që shënoi fitore në udhëtim kundër skuadrës së Milanit me rezultatin 2:1. Ndeshja u zhvillua të shtunën në "San Siro" dhe i takoi javës së 31-të në Serie A. Behrami ishte ndër më të mirët në fushë, ndërsa ai u rikthye te Fiorentina pas lëndimit që e mbajti jashtë fushës për dy ndeshje. Me këtë fitore Fiorentina ngrihet në kuotën e 36 pikëve dhe zë pozitën e 15-të në tabelë. Ndeshjen e ardhshme kampionale Fiorentina e luan në shtëpi kundër skuadrës së Palermos, të mërkurën (11 prill).