"Sistemi elektronik s'ndikon në
mbledhjen e TVSH, pse duhet %?!"

Renald Rista, ish-drejtor i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe një njohës i mirë i sistemeve dhe serverëve në tatime, ka shpjeguar për Monitor këndvështrimin e tij lidhur me projektin për partneritet publik privat (PPP) në administrimin e TVSH-së, prezantuar së fundmi nga Financat.
 
Rista pohon se sistemi aktual i kasave fiskale përfshin programin kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Nexus dhe të gjitha kasat fiskale të instaluara deri tani. (Pas aksionit anti-informalitet, distributorët e autorizuar pohojnë se numri i kasave në përdorim ka patur nje rritje massive duke arritur në rreth 100 mijë.)
 
Rista shtron pyetjen se përse duhet të bëhet me koncesion gjithë kjo lëvizje me kosto kaq të madhe, kur këtë gjë mund ta bëjnë shoqëritë aktuale (pa pagesë)? Tatimet do të ishin vetëm monitorues të procesit. “Në opinionin tim kjo po bëhet për të monopolizuar një proces të detyrueshëm (kasat fiskale) dhe duke vjelë paratë nga biznesi për mirëmbajtjet dhe shteti si koncesion.”
 
Një fakt tjetër interesant, sipas Ristës, është se përdorimi i kuponit tatimor nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me TVSH-në. Kasat fiskale masin qarkullimin e bërë me para në dorë sipas nenit 54 dhe 55 të ligjit të procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë. Ato nuk masin xhiron, TVSH-në apo qarkullimin (qarkullimi i biznesit është shitje me para në dorë, plus shitje me faturë e bankë, plus eksporte).

Kasat fiskale kanë qëllim të masin vetëm shitje me para në dorë dhe jo elementet e tjera (deri këtu nuk ka lidhje me TVSH-në). Forma e prezantuar në kuponin tatimor (njësi – sasi- çmim TVSH) është që konsumatori të kuptojë strukturën e çmimit dhe jo për të llogaritur TVSH-në. Kuponi tatimor nuk është dokument dhe si i tillë nuk mund të përdoret nga biznesi për të kredituar apo për të paguar TVSH-në.
 
“Nuk e kuptoj si mund të japësh me koncesion (PPP) një projekt që nuk ka lidhje deri tani me TVSH-në dhe mbledhjen e taksave, nga ku koncesionari të marrë mbrapa përqindje nga TVSH-ja e mbledhur mbi parashikimin 11% në vit”, thotë ish-shefi i IT-së i Tatimeve.
 
Edhe lidhur me faturat elektronike, Rista thotë se ky propozim është i pavend dhe aspak serioz, pasi faturat elektronike mund të gjenerohen nga sistemi i ri i implementuar tashmë nga tatimet dhe që ka kushtuar më shumë se 10 milionë euro, investimi fillestar dhe disa miliona të tjera në vazhdim. Është i njëjti proces përmes të cilit programet e kontabilitetit si ‘Alfa’, ‘Financa 5’ apo ‘Bilanc’, gjenerojnë faturat dhe këto programe kushtojnë 200-500 euro.
 
Sipas tij, gjenerimi i faturës elektronike është një kamuflim që të duken sa më shumë elemente ne te cilat ndikon koncesioni.
 
Për lotarinë tatimore, Risto shpjegon se Loja promocionale ka qenë si ide e tatimeve dhe Ministrisë së Financave që në vitin 2011 e huazuar nga Turqia. Por, që të realizohej për qëllimin e rritjes së sensibilizimit të biznesit dhe konsumatorëve për përdorimin e kuponit tatimor, kjo lojë duhej të lidhej me kuponët tatimorë (pra për çdo kupon të lëshuar të kishte një numër “serial” identifikues unik, i cili do të identifikonte kuponin). Kjo gjë mund të realizohej si nga sistemi i brendshëm i tatimeve “Nexus” (i cili duhet të mbante të regjistruar të gjithë serialet) edhe nga shoqëritë e kasave (çdo kasë të gjeneronte një numër unik për çdo kupon) duke bërë ndryshimin e programit në kasë. Problemi qëndronte, shpjegon Risto, se duheshin përditësuar të gjitha kasat dhe më pas të fillonte loja promocionale (për çdo kasë shoqëritë e autorizuara instalonin programin e ri pa pagesë)
 
Ky ndryshim te çdo kasë ishte shumë i vështirë për t’u bërë pasi bizneset nuk shkonin vetë te shoqëritë e kasave dhe nëse fillonte si proces do të merrte më tepër se dy vjet për t’u realizuar (pasi kasat do të përditësoheshin atëherë kur bizneset do të kryenin kontrollet periodike). Por meqënëse vendosja e kasave arriti deri në 85% të bizneseve dhe përdorimi i tyre u bë i dukshëm, nuk u pa më e arsyeshme të implementohej loja promocionale.
  
Parneriteti publik privat në platformën teknologjike të TVSH-së
 Ministria e Financave njoftoi zyrtarisht javën e kaluar nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik Privat, në fushën e administrimit tatimor. Institucioni që harton politikat fiskale të vendit tha se ka bërë një studim fizibiliteti shumë të detajuar, nga i cili kanë dalë edhe termat e referencës, që do të shpallen shumë shpejt. Do të shpallim tenderin e hapur ndërkombëtar, ku ftojmë të gjitha bizneset private, shqiptare apo të huaja, të marrin pjesë në këtë tender.

Ministria pranoi se ka marrë një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS. Thelbi i propozimit është një platformë teknologjike, që zëvendeson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore.
 
Platforma e propozuar, sipas financave, mundëson transmetimin në kohë reale, jo vetëm të kuponit tatimor, pra jo vetëm të transaksioneve me pakicë, por ajo që është më e rëndësishme, të transaksioneve me shumicë, që janë transaksionet biznes me biznes. Sistemi do të mundësoje dhe gjenerimin e faturave elektronike. /MONITOR/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave