'Qyli' mbaroi! Basha të lëvizë për kreun e PD, Berisha gati t’i 'hajë kokën'

'Qyli' mbaroi! Basha të lëvizë për kreun e PD, Berisha gati t’i 'hajë kokën'

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Në krye të herës, pavarësisht në cilat paralele analize lëvizin, të gjithë ndajnë të njejtin mendim, se Lulzim Basha është zgjedhur e rizgjedhur në krye të PD për 8 vite me radhë nga Sali Berisha.

Nuk ka qënë ndonjë zotësi e Bashës për të fituar zemrën e Berishës që në vitin 2005, pasi njihet dobësia e liderit historik të PD për fëmijët. Shkatërroi drejtësinë nga themelet për të mbrojtur djalin e akuzuar për “Gërdecin”. Dhe prurja Basha nga Kosova, ishte e Argita Berisha Malltezit.

Për liderin historik i PD, i cili i kishte marrë sinjalet për të pretenduar fort ardhjen në pushtet në vitin 2005, ngjitja e Bashës në lidershipin e PD, ishte thjeshtë një aksiomë e pranuar pa asnjë lloj verifikimi dhe vertetimi. Ia kishte sjellë Argita dhe ishe e kryer.

Basha gëzoi të gjithë beneficet e “djalit” politik të Berishës, i cili sa ishte pranë tij gëzoi të gjitha të mirat sikurse familja biologjike e kryeministrit të atëhershëm. Shumëkush u habit me ardhjen e Bashës dhe katapultimin në postet më të rëndësishme partike dhe sidomos shtetërore, duke filluar nga ministër i Transporteve, vijuar me atë të shefit të diplomacisë shqiptare dhe ministër i Brendshëm dhe mbyllur me kryetar i bashkisë së Tiranës.

Se si ia mori bashkinë Edi Ramës e ka shpjeguar saktë dhe qartë vetë ish kreu i KQZ, ish sekretar i përgjithshëm i PD dhe tashmë kundërshtar i Bashës, Arben Ristani. I cili pavarësisht lustrave që i jep këtij akti, mbetet fakt që Ramës ia morën në tavolinë postin.

Me humbjen e pushtetit nga PD dhe dorëheqjen e Berishës nga posti i kryetarit, ishin të bindur të gjithë se Lulzim Basha do të ishte kryetar i kësaj partie, pavarësisht karizmës dhe fushatës së rivalit të tij, tashmë të ndjerë Sokol Olldashi, i cili nuk mundi të fitonte përballë historisë së PD, Sali Berishës, që qëndronte pas Bashës.

Ndërsa të gjithë mendonin se Berisha do të mbetej thjeshtë një deputet, duke “përkthyer” dhe versionin e Fatos Nanos të realizuar tetë vite para tij, i cili vinte në Kuvend vetëm njëherë në 6 muaj sa për të mos djegur mandatin e deputetit, ish kreu i PD luajti sërish rolin e drejtuesit të kësaj partie. Duke qënë “mentori” i Bashës në të gjitha lëvizjet politike të PD, në të gjitha përjashtimet që janë realizuar nga Basha.

Askush të mos mendojë se Berisha ka qënë “dorëjashtë” në përjashtimet e Jozefina Topallit, Arben Imamit, Majlinda Bregut, Astrit Patozit dhe të gjithë kundërshtarëve të sotëm të Bashës.

Gjithçka është “noterizuar” nga Sali Berisha. Madje këtë e ka pranuar dhe Lulzim Basha, më shumë në bisedat konfidenciale me ambasadorët dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kishin rënë në hall sepse duhej të bindnin doktorin që të “noterizonte” Basha. Janë proverbiale deklaratat e Bashës nëpër takime se “nuk kam çfarë i bëj Doktorit, pasi vendos ai në PD”.

Ndonëse Basha nuk është lider, nuk u bë kurrë i tillë, pasi jo vetëm që humbi në masën 100 përqind të gjitha përballjet me Edi Ramën në 8 vite në krye të PD, ka “dozën” e tij të ndikimit në këtë humbje dhe Sali Berisha i cili me praninë e tij të shtuar në rrjetet sociale dhe në media trembi rëndshëm elektoratin gri, që nuk e përcillte dot faktin se duhej ta duronte dhe shumë vite të tjera Berishën në timonin e drejtimit të shtetit, ajo që mund të themi është se Basha është një alternativë ku e ku më e mirë se Berisha për sytë e qytetarëve shqiptarë por dhe të partnerëve tanë të mëdhenj ndërkombëtarë. Nuk flasim për militantët këtu, pasi po të jetë për votën e militantëve të partive, asnjë parti politike nuk vjen kurrë në pushtet. Flasim për ata që të mbështesin, elektoratin gri e të pavendosur që bën diferencën, duke u ofruar një alternativë të re.

Teksa shansi i Bashës erdhi në derë për të qënë realisht kryetar i PD dhe për ta nisur nga zero përballjen e tij opozitare dhe treguar vlerat udhëheqëse të opozitës, Berisha shpallet familjarisht “non grata” nga SHBA për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë për të mbrojtur zullumet e tij, çka solli dhe përjashtimin e tij prej Bashës nga grupi parlamentar i PD, kreu aktual demokrat ka rënë në një heshtje dhe apati të çuditshme.

Ndonëse gjithkush në PD dhe jashtë saj e ka marrë vesh se tashmë “qyli” në PD për Lulzim Bashën ka përfunduar, është vetë Lulzim Basha ai që po vepron si në përrallën e ujkut me gomarin, duke thënë “bëjë zot ëndërr”.

Teksa Berisha ka zbritur në bazë për mbledhjen e firmave nga delegatët e paripërtërirë të Kuvendit Kombëtar për të mbledhur forumin më të lartë të PD dhe shkarkuar Bashën nga kryetar i kësaj partie, me argumentin se me përjashtimin e tij, por dhe të tjerëve të pranuar tashmë së fundmi nga vetë Berisha, ka cënuar rëndë vlerat e PD, sovranitetin e partisë dhe është një lider i thyer, vetë Basha qëndron i mbyllur në selinë e tij buzë Lanës.

Lëshon nga një deklaratë të fortë, e quan kuvendin anti-amerikan dhe në fund të herës shkarkon dhe Flamur Nokën, një ithtar të Berishës, nga nënkryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë, ndërsa Berisha po i merr një nga një të gjitha degët e PD. Ndërsa ka mbledhur rreth vetes gati 10 deputetë, ndërkohë që të tjerë janë në pritje për të lëvizur andej nga anon balanca e fitores.

Ajo që themi është se Lulzim Basha, në vend që të dëgjojë këshillat e analistëve afër tij, apo të atyre që shprehen në këto opinione se si duhet të zhvillohen ngjarjet në PD dhe jo si është realiteti në bazën e kësaj partie që po mbështet Berishën, duhet të kishte zbritur në bazën e partisë për t’ju shpjeguar qartë dhe saktë se me Sali Berishën në radhët e grupit të PD dhe “violinë” e parë në këtë parti, PD nuk vjen kurrë në pushtet pasi partnerët tanë të mëdhenj e kanë bërë “hasha”.

Një lider përballet me partinë që drejton në situata të vështira. Për Bashën është më mirë një fund i tmerrshëm, nëse është taksur një gjë e tillë, se sa një tmerr pafund, duke pritur me zemër të ngrirë se kur do vendosë Berisha të bëjë Kuvendin Kombëtar për ta shkarkuar  nga kryetar i PD.

Nuk është përballje në gjykatë ku mund të fitosh me procedurë, apo duke marrë raporte mjekësore, derisa të skadojnë afatet e gjykimit, siç ka bërë më herët në përballjet me drejtësinë. Madje atëherë kishte sërish mbështetjen e Berishës. Eshtë përballje politike në radhët e partisë më të madhe opozitare, ku në një parti si bashkim vullnetar njerëzish dhe idesh prevalon vota e anëtarësisë, delegatëve të Kuvendit dhe jo nenet e ligjeve, siç e mbajnë të bllokuar Bashën ata që i rrahin shpatullat, se mund ta mbajë postin e kryetarit përmes mosnjohjes së Kuvendit Kombëtar të PD për shkarkimin e tij.

E kam thënë dhe njëherë se nëse Berisha arrin ta mbledhë Kuvendin, mbështetësit e tij kanë deklaruar se janë mbledhur mbi 4 mijë firma të delegatëve nga 1500 që duhen, Lulzim Basha nuk e sheh derën e selisë së PD buzë Lanës. Ka mbaruar kjo punë. Ndërsa zgjedhjet në PD nuk observohen as nga OSBE-ODIHR, as nga vëzhguesit e SHBA, BE apo vendeve të tjera partnere që të mos njihen dhe të kthehen në “nul” siç bëhet me zgjedhjet parlamentare apo vendore.

Janë zgjedhje partie dhe kryetari i ri, Berisha apo dikush tjetër, nëse ndodh përmbysja në PD, që atë ditë që do zgjidhen do akomodohen në zyrat e PD bashkë me strukturat e forumet e reja partiake.

Madje as mbështetja amerikane nuk e mban Bashën në krye të PD, sado që në rast nëse do të kishte ndonjë variant që ta mbante dikush kryetar nëse demokratët nuk e votojnë, do të ishte kalimi i një “ëndrre të keqe” për PD, pasi me Berishën është e garantuar qëndrimi në opozitë i kësaj partie.

Bashën nuk e mbajnë në krye të PD nëse Berisha arrin ta shkarkojë as tezat që hidhen në media, duke dhënë shembullin e Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuçiç, që u shkëputën nga Partia Radikale Serbe e Vijislav Shejshelit dhe themeluan Partinë Progresiste Serbe që sot e drejton Vuçiç dhe që ka vite që është në pushtet në Serbi.

Në krye të herës ky shembull gropos Bashën dhe i paracakton atij humbjen, pasi në Serbi, Shejshel e mbajti drejtimin e partisë së vjetër Radikale.

E dyta është se Nikoliç dhe Vuçiç nuk kanë marrë asgjë “qyl” por i ranë kryq e tërthor Serbisë për ta bërë Partinë Progresiste Serbe parti të parë në vend. Lulzim Basha nuk e ka këtë vullnet dhe nuk është mësuar të fitojë ndonjë gjë vetë.

Lulzim Basha më kujton atë anektodën e një ish zyrtarje të lartë të PPSH në një rreth të Shqipërisë që kishte djalin në një fakultet në Tiranë. Ndërkohë që e kishte kaluar me të shtyrë në të gjitha lëndët e mundshme që jepeshin provim në atë fakultet, djali i saj, kishte dhe humor pasi e tregonte vetë ai këtë ngjarje, kishte mbetur në fizkulturë.

Meqë i kishte ardhur shpirti në majë të hundës me djalin, zyrtarja e lartë e saj kohe, në sy të pedagogëve, i thotë djalit “po dhe vrapin, paralelet, kaluçin dhe gjërat e tjera që përmban lënda e fizkulturës, duhet të vij unë dhe të hyj në garë në vendin tënd”?

Lulzim Basha duhet të lëvizë pasi nuk do të dalin në fushatë as përfaqësuesit e partnerëve tanë ndërkombëtarë, që kanë gjithë vullnetin e mirë për ta mbështetur dhe orientuar PD-në nga e ardhmja, as analistët e mbështetësit e zgjedhur në forumet dhe strukturat drejtuese që i rrahin shpatullat, që të mos dalë në bazë për t’u përballur vetë dhe ekipi i tij me demokratët që janë në zgrip për shkak se jo vetëm do jenë 12 vite në opozitë, por ka shumë gjasa që një qëndrim i tillë do vijojë pafund.

Në fund të herës, për herë të parë në jetën e vet, Lulzim Basha duhet ta kuptojë se “qyli” ka marrë fund të paktën në PD për të, pasi ai që dhuronte pafund për të, për ta pasur garant për një ditë të keqe, është tërbuar dhe do “kokën” e tij.

Demokratët do ta kuptojnë kur u shtron alternativën: me Berishën dhe kundër SHBA e partnerëve që e garanton PD-në në opozitë apo të vijohet në rrugën e nisur pa të, për të provuar realisht një strategji të re dhe për të pretenduar për të rikthyer të djathtën në pushtet.

Basha nuk duhet të ketë frikë nga përballja, e ndihmon shumë dalja në “ajër” të pastër, duke e lënë për pak kohë zyrën në qendër të Tiranës, duke mos dëgjuar për pak kohë ata që e “miklojnë” për interes apo për inat. Më mirë vonë se kurrë, megjithëse koha nuk pret!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja