Durrës përurohet kimioterapia në spitalin rajonal
Në spitalin Rajonal të Durrësit që nga dita e sotme ka nisur nga puna klinika e kemioterapisë e para në vendin tonë jashtë qendrës universitare të Tiranës. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se "tashmë jashtë qendrës universitare do të mund të ofrojmë një vlerë të shtuar në zinxhirin e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në vendin tonë".
”Duke filluar nga Durrësi, do të ofrojmë një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin e shërbimit spitalor që ofrohet në Shqipëri. Falenderimi kryesor i shkon mjekëve, infermierve që përballen ditë për ditë me të sëmurët, me këtë sëmundje që për fat të keq ne vazhdojmë ta zbulojmë në këtë stad shumë të avancuar,”-u shpreh Beqaj.
Drejtoresha e spitalit Ardiola Frashëri tha se "Spitali i Durrësit është i pari i përzgjedhur nga spitalet rajonale në vend për çeljen e kësaj klinike duke shtuar se rreth 70 % e pacientëve që janë diagnostikuar në këtë spital kanë nevojë për kimioterapi.
Spitali i Durrësit, është i pari i përzgjedhur ndër spitalet rajonale në vend për hapjen e kësaj klinike dhe një domosdoshmëri për shkak të numrit të lartë të sëmundjeve tumorale në rajon.
Për çdo muaj, mjekët onkologe referojnë drejt Tiranës 15 persona në muaj të cilët kanë nevojë për kemioterapi.
Shkodër, marshim sensibiliues në rrugët e qytetit
Në kuadër të muajit tetor i cili njihet si muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik Shkodër ka organizuar një marshim ndërgjegjues në rrugët e qytetit. Mesazhi që ju drejtohej grave, ishte të kryenin kontrolle periodike me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje.
Ftoj gratë të bëjnë depistimin për kancerin e gjirit pasi kështu ato arrijnë të mbrojnë jetën.
Organizimi i këtij aktiviteti është vazhdë e të gjithë nismave për sensibilizimin e grave ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit, e cila vitet e fundit po njeh një perhapje gjithnjë e më masive.
Qyteti Berati i bashkohet marshimit sensibilizues
Drejtoria e Shëndetit Publik ka organizuar në qendër të qytetit një parakalim me nxënës shkollash, pjesëmarrjen e grave dhe vajzave, në shenjë sensibilizimi për tu kontrolluar për parandalimin e kancerit të gjirit. Me një banderolë të madhe sensibilizuese dhe fletëpalosje, pjesëmarësit kanë parakaluar në qendër të qytetit duke përciellë mesazhin se vetëm vetëkontrolli shpëton nga prekja e kancerit të gjirit.
Këtij marshimi i janë bashkuar gra dhe vajza punonjëse në institucionet e qytetit, por dhe kalimtarë të rastit. Drejtoresha e Spitalit Rajonal, Valbona Papa duke i bërë thirrje grave dhe vajzave të kryejnë depistimin, duke bërë manografi, u shpreh se kërkesat janë rritur ndjeshëm pranë Polikliniës së Specialiteteve, ku është vënë falas ky shërbim për këtë muaj sensibilizues.
Rreth 250 gra dhe vajza kanë kryer mamografi, ndërkohë që kërkesat po rriten dhe po shihen mundësitë që të shtyhet afati i kryerjes së depistimit falas.