TIRANE- Të gjithë qytetarët që kërkojnë të mbushin bombulat e gazit mund t’i gjejnë ato shumë pranë zonave të banuara . Në fakt i gjithi ky proçes është jo vetëm në shkelje të plotë të ligjit në fuqi por përbën edhe një rrezik shumë të madh për jetën e çdo qytetari që jeton pranë zonave që ushtrojnë aktivitetin këto karburante. Në kryeqytet thuajse të gjithë pikat e karburanteve ofrojnë për qytetarët edhe shërbimin e gazit. Ndërkohë që në ligjin në fuqi për tregëtimin e gazit  saktësohet se në  stacionet e karburanteve ndalohet që të bëhet mbushja e bombolave të gazit të lëngshëm për përdorim shtëpiak apo edhe tregëtar.

Këto pika karburantesh shërbimin e gazit duhet ta ofrojnë vetëm për automjetet që përdoren me gaz, dhe jo për familjarët apo për tu tregëtuar. Megjithatë në Tiranë, në të gjitha karburantet ofrohet shërbimi i gazit për të gjithë. Disa prej karburanteve janë ndërtuar edhe shumë pranë zonave të banuara duke përbërë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Ka pasur shumë raste kur për shkak të rrjedhjeve të gazit është dashur evakuimi i banorëve nga banesat e tyre apo edhe raste kur për shkak të shpërthimeve ka pasur dhe shumë dëme materiale. Sipas ligjit mundësinë për ofrimin e shërbimit dhe tregëtimit të gazit për individët e kanë disa subjekte.

Në kryeqytet janë 5 pika të autorizuara në të cilat është e lejueshme mbushja e gazit. Këto pika ndodhen në rrugën “Ndre Mjeda”, “Qemal Stafa”, “Irfan Tomini”, “Petro Nini” dhe në lagjen “Ali Demi”. Ndërkohë në autostradën Tiranë-Durrës dhe Vaqarr janë kompanitë Sh.a të autorizuara për tregëtimin e gazit për familjarët. Mungesa e subjekteve të tjera të ofrimit të këtij shërbimi ka bërë që duke parë kërkesat e qytetarëve për këtë shërbim, të jenë edhe karburantet ato që e ofrojnë.

Pikat e autorizuara nuk mund të përballojnë nevojat dhe kërkesat e shumta të qytetarëve në rritje për gazin e lëngshëm. Në periudhën e dimrit kërkesa për gaz nga qytetarët rritet ndjeshëm pasi në këtë periudhë të vitit, gazi nuk përdoret vetëm për gatim por edhe për ngrohje. Nuk ka ende një plan masash që të ndalojë tregëtimin e gazit në karburante dhe kontrollet për këto subjekte. Ndërkohë që qytetarët që jetojnë pranë këtyre subjekteve që ofrojnë gaz, ndihen të kërcënuar pasi një aksident i vogël do ti rrezikonte atyre jo vetëm banesat e tyre por edhe jetën.

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)