TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm, i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u ka dërguar një mesazh vartësve të tij, ku i ka kërkuar që të merren masa urgjente që të ndryshojnë sjellje, pasi puna e tyre nuk është në lartësinë e uniformës. Nano ka zgjedhur që t’u bashkëngjisë edhe disa mesazhe që vijnë nga qytetarët, ku i janë ankuar për sjelljen e policëve, se si janë arrogantë, të korruptuar. Më shumë pakënaqësi ka për rrugoren, patrullat, shqiponjat, policinë kufitare e atë kriminale, prandaj u kërkon një reflektim urgjent.

“Ditët e fundit, mua si Drejtor i Përgjithshëm më kanë ardhur shumë komente të qytetarëve për punën e policisë së shtetit. Gjithashtu kam ndjekur me vëmendje shumicën e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale. Duke anashkaluar reagimet politike, mllefin e qytetarëve e me të drejtë, kam seleksionuar vetë disa prej tyre që për mua janë shumë shqetësuese.

Qytetarët më së shumti ankohen për sjelljen e punonjësve të Policisë, më shumë për rrugoren, patrullat, shqiponjat, policinë kufitare e atë kriminale. Punonjës policie që sillen arrogantë me qytetarët, që nuk zbatojnë ligjin por shikojnë interesin e xhepit të tyre duke abuzuar rëndë  me detyrën dhe rrjedhimisht do kemi këtë perceptim qytetar. Punonjës policie që nuk njohim humanizmin fare po fare, që nuk tolerojnë (brenda ligjit) qytetarët e ndershëm por tolerojnë horrat e trafikantët.

Shumë denoncime në rrjete sociale edhe për Policinë Kufitare, për marrje ryshfeti nga mjetet lundruese dhe për pasojë ndodhemi në këtë situatë sot. Sjelle arrogante nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, në shumicën e raste vetëm e vetëm për  të bërë presion e për të marrë ryshfet. Mesazhe të ngjashme me dhjetëra qindra kanë ardhur e vijojnë të vijnë. Kjo është shumë shqetësuese shumë alarmante. Një mesazh që s’duhet të bjerë në vesh të shurdhër:

“Sigurisht një pjese e mirë e policëve të vjetër duhen hequr fare se janë të korruptuar, ama me këta të rinjtë punoni me edukimin e tyre. Kanë problemë te pafundme me komunikimin me qytetaret, inferiore ne komunikimin edukativo njerëzor”. Shumë i dhimbshëm për Policinë ky mesazh. “Mjafton të kesh një dokument policie e bën ç’të duash në këtë vend”. Zgjodha disa prej tyre që më janë drejtuar mua si Drejtor i Përgjithshëm. Të merrem masa të menjëhershme nga Departamentet përkatëse e mos raportoni pa i lexuar ‘dakord, dakord’. Por të reflektoni urgjent përballë këtij realiteti të skanuar nga syri qytetar”, shkruan Nano në mesazhin e tij.

Ky mesazh vjen pasi një efektiv i policisë, teksa po drejtonte gomonen pa patentë përplasi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia. Kjo shkaktoi një sërë reagimet në opinionin publik, madje u zhvilluan edhe protesta ku fajësuan policinë. Nano shkarkoi zinxhirin drejtues së Policisë Kufitare e ndërsa prej ditësh nuk lejohet asnjë mjet lundrues pa dokument që të dalë në det.