Dhjetëra të rinj, përfaqësues organizatash dhe qytetarë u bënë bashkë në Shirokë në një aksion vullnetar për pastrimin e zonës pranë Liqenit të Shkodrës, duke dhënë një shembull konkret të angazhimit për mbrojtjen e mjedisit.
Aksioni u organizua nga Bashkia Shkodër, Act4Shkodra, Qendra Rinore “Atelie”, KVR Shkodër, DRTK Shkodër dhe COD, në një bashkëpunim që tregoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në ruajtjen e pasurive natyrore.
"Sot u bëjmë thirrje të gjithëve të mirëmbajnë jo vetëm liqenin po të gjithë qytetin", tha një nxënëse që mori pjesë në këtë aksion
"Kjo nuk është vetëm një ditë pastrimi, por një ditë ndërgjegjësimi për të gjithë brezat që të kontribojnë në ruajtjen e këtyre pasurive natyrore", tha një tjetër.
Përmes kësaj nisme u realizua pastrimi i mbetjeve në zonën bregliqenore, ndërsa u përcoll edhe një mesazh sensibilizues për qytetarët që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të hapësirave publike.
Nga Shiroka u dha një shembull i qartë se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët dhe se përmes bashkëpunimit mund të arrihen rezultate konkrete në ruajtjen e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të qytetit.
Komente











