Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në protestë para spitalit të Lushnjës, duke ngritur shqetësime për gjendjen e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet në këtë institucion.

Të organizuar pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale, protestuesit kërkuan ndërhyrje të menjëhershme për një sërë problematikash që, sipas tyre, po rëndojnë prej kohësh mbi pacientët e zonës.

Një nga kërkesat kryesore ishte rikthimi i shërbimit të dializës në Lushnjë për 52 pacientë kronikë, të cilët aktualisht detyrohen të udhëtojnë në qytete të tjera për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Qytetarët kërkuan gjithashtu rikthimin e disa shërbimeve të tjera spitalore që sot kryhen në Tiranë, Fier apo Durrës, duke argumentuar se pacientët përballen me vështirësi dhe kosto shtesë.

Mes shqetësimeve të ngritura ishin edhe mungesa e analizave laboratorike, që sipas protestuesve i detyron qytetarët t’i kryejnë në laboratorë privatë, si dhe mungesa e medikamenteve, për të cilat pacientët e shtruar shpesh detyrohen të paguajnë nga xhepi.

Protestuesit kërkuan gjithashtu rikonstruksionin e godinave të spitalit dhe përmirësimin e ushqimit për pacientët.

Në protestë ishin të pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, si dhe kryetari i PD-së në Lushnjë, Gentian Çela.

Qytetarët paralajmëruan se nëse nuk do të ketë reagim nga Ministria e Shëndetësisë, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen në ditët në vijim.