Përveç Tiranës dhe qyteteve të tjera në vend, protestat kanë pasuar dhe në disa shtete të tjera të botës ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët në emigracion.

Grupe shqiptarësh protestuan pranë selisë së Bashkimit Europian në Bruksel, në mbështetje të protestës në Tiranë, pas incidentit të një javë me parë në Zvërnec, ku një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojat e sigurisë private.

Para ambasadës shqiptare në Britaninë e Madhe, u zhvillua protestë për të dytën.

Ditë me radhë, ku shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje me flamuj kombëtarë dhe pankarta përcollën mesazhe për mbrojtjen e mjedisit dhe transparencë mbi zhvillimet e planifikuara në zonën e Zvërnecit.

Më herët, një seri protestash të organizuara nga diaspora shqiptare u zhvilluan në Uashington, Milano dhe shtetet të tjera në mbështetje të kauzës për Zvërnecin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:58
‘Mos e shit vendin’- Qindra shqiptarë protestojnë në Heidelberg të Gjermanisë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec (VIDEO)

Ditën e sotme në Heidelberg të Gjermanisë, qindra shqiptarë janë mbledhur për të protestuar kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec të Vlorës.

Në shesh janë mbledhur përafërsisht 300-400 shqiptarë, të cilët mbajnë në duar pankarta anti-qeveritare, por edhe flamuj e simbole të tjera kombëtare.

Protestat kanë nisur prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, pas incidentit të një javë me parë ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojat e sigurisë private, në vendin ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec.

‘Mos e shit Shqipërinë’, ‘Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve’, janë disa nga shkrimet kryesore në pankartat e protestuesve.

Ora 12:30
'Zvërneci', Diaspora del në protestë para Ambasadës shqiptare në Londër: Shqipëria nuk është në shitje!

Dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë mbledhur edhe për të dytën ditë radhazi përpara Ambasadës Shqiptare në Londër, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit. Protestuesit mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe për mbrojtjen e mjedisit dhe transparencë mbi zhvillimet e planifikuara në zonë. Tubimi në Londër është pjesë e një serie protestash të organizuara nga diaspora shqiptare në disa vende të Europës dhe Amerikës në mbështetje të kauzës për Zvërnecin.