Dita e 3-të e protestave/ Qytetarë të mbështetur nga PD bllokuan rrugët në Fushë Krujë, Shkodër e Lushnje (VIDEO)
Të veshur me jelekë të verdhë si protestuesit në Francë, qytetarët të mbështetur nga Partia Demokratike kërkuan uljen e çmimit të karburantit, treg për prodhimet bujqësore, ndërsa shprehën mbështetjen edhe për studentët në Tiranë.
Qytetarë të mbështetur nga Partia Demokratike pasditen e sotme protestuan në Lushnje, Fushë Krujë dhe në Shkodër duke bllokuar rrugët.
Të veshur me jelekë të verdhë si protestuesit në Francë ata kërkuan uljen e çmimit të karburantit, treg për prodhimet bujqësore, ndërsa shprehën mbështetjen edhe për studentët në Tiranë.
Në Fushë Krujë u bllokua aksi në drejtim të Milotit, në Shkodër rruga hyrëse në qytet, ndërsa në Lushnje aksi në drejtim të Rrogozhinës. Kjo ishte dita e tretë e protestës së qytetarëve të mbështetur nga opozita në disa rrethe.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
Protestë edhe në Lushnje, bllokohet rruga për 30’
Përvec Shkodrës dhe Fushë Krujës protesta pasditen e sotme ka pasur edhe në Lushnje, ku banorët kanë bllokuar për rreth 30 minuta aksin me Rrogozhinën. Fermerët u mbështetën nga PD-ja në protestë.
Mbyllet protesta në Shkodër, banorët paralajmërojnë tubime të tjera
Pas rreth një ore është mbyllur protesta në qytetin e Shkodrës, ndërsa banorët të mbështetur nga PD-ja paralajmërojnë se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Pas përfundimit të protestës është rihapur rruga dhe qarkullimi në hyrje të Shkodrës vijon normalisht.
“O dorëzohu, o rrëzohu”/ Qytetarë dhe militantë të opozitës thirrje kundër Ramës në Fushë Krujë
“Poshtë Edi Rama, poshtë qeveria. O dorëzohu, o rrëzohu. Fushë Kruja është me studentët”. Janë këto disa nga pankartat e banorëve të Fushë Krujës që janë ngritur në protestë duke bllokuar rrugën në drejtim të Milotit. Protesta e banorëve mbështetet nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës.
Nis protesta në qytetin e Shkodrës, bllokohet rruga hyrëse
Banorët e Shkodrës të mbështetur nga PD dhe militantët e tjerë të partive opozitare janë ngritur në protestë në ditën e tretë duke bllokuar rrugën hyrëse në qytet.