Shumë shpejt do të ketë një paketë speciale ligjore për zaptuesit e hapësirave publike, njoftoi kryeministri Edi Rama. Paralajmërimin, kreu i qeverisë e bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shfaqi me video, një rast abuziv as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Një hapësirë publike poshtë një blloku pallatesh ishte zaptuar dhe shndërruar në një mini-servis mjetesh.

Ndëshkimi nuk mund të jetë më vetëm gjoba – thekson Rama – por duhet burg.

“Kjo nuk mund të jetë kurrësesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur.

Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, shkruan Rama.

Pamja është filmuar nga një apartament i pallatit, çka nënkupton se është denoncuar te kryeministri nga vetë banorët e zonës. 

Nuk vonoi dhe në një postim të dytë, kryeministri paraqiti një foto të re, me forcat e policisë që nisën procedurat ligjore. 

“Do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj”, theksoi Rama.

Në të gjithë vendin ka nisur aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, mbështetur nga policitë bashkiake dhe të rendit për lirimin e hapësirave publike, kryesisht nga struktura pa leje të vendosura nga bizneset, bare e restorante. Kulmi i këtij aksioni ishte në Theth, fshatin e mbrojtur ku u spastruan dhjetëra objekte veçanërisht kabina të ngritura pa lejen e autoriteteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
Rama: Masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm

1753181585_gomisteri.jpg

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër foto nga një gomisteri në Tiranë, që kishte zaptuar një hapësirë në një bllok pallatesh. Rama shkruan se nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës. Më tej, thekson se do merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm

“Pikërisht! Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit. Ndërkohë që do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj”, shkruan Rama.