Prej ditësh qyteti i Lushnjës nuk furnizohet normalisht me ujë nga Ujësjellësit. Firma që po bën rikonstruksionin e linjës së transmetimit nga burimet deri në depot e Virovës para disa ditësh zevendësoi tubin kryesor të furnizimit me ujë, por parametrat teknike nuk janë në nivelet e duhura ç'ka do të thotë se presioni nuk suportohet nga linja.

Për pasojë qyteti ishte furnizuar me ujë në orare të mangëta shpeshherë edhe për ditë të tëra. Në këto kushte abonentët qytetarë po furnizohen me ujë në mënyra alternative vetëm për të pirë pasi për nevojat e tjera nuk kanë mundësi furnizimi. Shumë qytetarë kanë ardhur për festa dhe nuk kanë gjetur uje ashtu si shumica e banorëve të Lushnjës ditët e fundit.

"Katër-pesë ditë pa ujë, si t'ja bëjmë. Do dalim mbrapa pallatit. Çfarë t'i bëjmë qeverisë? Dje erdha, sot do iki, nuk di gjë fare. Nuk kam gjetur ujë këtu kur erdha mbrëmë. Kisha qejf të rrija më shumë, por... Ka pesë ditë pa ujë"-shprehen disa nga banorët.

Sipas drejtuesve të Ujësjellësit dhe Bashkisë Lushnjë prej 24 ditësh po punohet që të bëhet i mundur furnizimi nga tubacioni i vjetër për të shmangur një katastrofë shëndetësore për qytetin.

Disa nga kompanitë e shpërndarjes së ujit të pijshëm sot kanë shpërndarë ujë pa pagesë për qytetarët e Lushnjës.