Gjashtë mijë studentë do të akomodojë Qyteti Studenti në Tiranë për vitin akademik 2014-2015. Regjistrimet për të përfituar një dhomë në këtë qytet nisin në një tetor, ndërkohë që kriteret për tu strehuar në godina do të jenë edhe në bazë të preferencave që do të kenë vetë studentët.

Këtë vit është ndërhyrë në godinat më problematike, aty ka patur lagështirë apo ku kanë munguar krevatet, çarçafët ndërkohë që është vënë në funksion lavanteria shtetërore, pasi ndër vite studentët duhet të paguanin lekë nga xhepi pasi lavanteritë ishin private.

"Këtu kapaciteti total i 26 konvikteve është gjashtë mijë studentë, ku dy mijë studentë priten që të jenë të viteve të para. Në çdo konvikt janë të afishuara listat emërore të studentëve që rikthehen për vit të dytë, të tretë, të katërt e në vazhdim. Me afishimin e këtyre listave automatikisht kanë dalë dhe vendet bosh që i kemi menaxhuar dhe i kemi ndarë sipas fakulteteve, çdo godinë ka fakultetin e tij", bën të ditur Anila Shehu, drejtoreshë e Qyteti Studenti.

Kërkesat e larta nga studentët që kërkojnë të strehon në godinat e Qytetit Studenti, edhe këtë vit do të bëjnë që në dhoma të ketë deri në katër persona. Strehimi në këtë qytetet është një zgjidhje për të rinjtë që nuk kanë kushte të mira ekonomike, pasi ka dhe nga ata që zgjedhin të jetojnë në shtëpi me qera, të cilat kanë një kosto më të lartë mujore por edhe kushte tepër të favorshme.



Shkrimi u publikua sot(26.09.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)