Përmbytjeve nuk u ka shpëtuar dot edhe qyteti i Elbasanit. Reshjet e shiut kanë shkaktuar një situatë të rënduar në këtë qytet, ku përveç mbulimit me ujë, ka dhe mungesë të energjisë elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve, etj.

Nisur nga kjo situatë, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë, të cilat po ndjekin dhe monitorojnë situatën. Prefekti i Elbasanit, Arben Kamami, u shpreh se në terren janë organizuar dhjetëra punonjës për të mbajtur hapur të gjitha akset rrugore.

“Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, si në rrugën Elbasan-Peqin në Derven, te Kthesa e Murrashin, dhe në Qukës. Po kështu ka vështirësi qarkullimi në aksin Cërrik-Gramsh”, ka thënë Prefekti gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencës.

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)