Një 20-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në Itali pasi ra nga kati i dytë i pallatit ku jetonte. Anxhela Byku, ndërroi jetë në spitalin e Piacenzës, ku ishte dërguar në gjendje shumë të rëndë menjëherë pas ngjarjes.
Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes në një pallat në rrugën Beverora. Vajza, sipas mediave italiane, kishte rënë në oborrin e brendshëm të ndërtesës nga një lartësi rreth 8 metra dhe u transportua me urgjencë në spital.
Gjendja e saj ishte kritike që në momentin e parë. Mjekët kishin vlerësuar edhe mundësinë e transferimit në spitalin e Parmës, por situata e rëndë shëndetësore nuk e bëri të mundur këtë lëvizje.
20-vjeçarja jetonte prej rreth një muaji në atë apartament me bashkëshortin e saj. Të afërmit dhe miqtë kishin shpresuar për një mrekulli gjatë këtyre ditëve, por ajo nuk arriti të mbijetojë.
Rrethanat e rënies mbeten ende të paqarta. Hetimet po kryhen nga karabinierët dhe, sipas mediave italiane, pista e një tentative për vrasje duket të jetë përjashtuar. Dyshimet kryesore mbeten mes një aksidenti tragjik ose një veprimi të dëshpëruar.
Komente









