Për situatën në pikën kufitare të Kakavijës, ku radhët e makinave arrijnë deri në 20 kilometra dhe qytetarët ndodhen të bllokuar aty prej 3 ditësh, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka  ka cilësuar shkaktar situatën e pandemisë që ka detyruar vendet të vendosin rregulla të reja si dhe ngutjen e qytetarëve për të udhëtuar në mënyrë që të mos preken nga kufizimet e reja nga pala greke pas 16 gushtit. Në një lidhje telefonike për Report Tv, ministrja Xhaçka tha se ajo vetë, por edhe ministria e Jashtme dhe ajo e Shëndetësisë kanë komunikuar me homologët e tyre grek në mënyrë që të lehtësohet sa më shpejt të jetë e mundur situata duke rritur kapacitetet testuese të bërjes së tamponit në kufi, por edhe të zgjatjes së orarit të punës edhe përtej orës 22:00 , ku pikat kufitare të punojnë edhe gjatë natës. Për këto pika palët janë ende në diskutime, tha Xhaçka, ndërsa shtoi se po bëhet gjithçka është e mundur që qytetarëve të bllokuar t'u sigurohen nevojat bazike, nevojë e diktuar dhe nga situata e pandemisë.

 "Është krijuar një radhë kilometrike e atyre qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë. Kjo situatë është diktuar edhe nga disa rregullat dhe kufizimet e reja të vendosura nga data 17 gusht dhe kjo shpjegon ngutjen për të udhëtuar me këtë fluks gjatë këtyre ditëve. Duhet sqaruar se vendimet e qeverisë greke janë marrë për të gjitha dhe jo vetëm për vendet jashtë BE. Kemi komunikuar me palën greke dhe unë kam pasur komunikim me homologun tim dhe e njëjta gjë edhe me ministrinë e  Shëndetësisë dhe atë të Jashtme kanë komunikuar me homologët e tyre grek, për të lehtësuar situatën. Kjo nuk do të thotë heqjen e rregullave të vendosura për të gjithë, por do të thotë rritje të kapaciteteve testuese në kufi dhe për këtë po punon pala greke pasi është dhe arsyeja që ka shkaktuar radhë. Pala greke po bënë maksimumin për të rritur ekipet mjekësore dhe zgjatja e orarit përtej orës 22:00 që do e çonte në shfryrjen e situatës që na takon. Po bëjmë maksimumin për të plotësuar nevojat bazike dhe të sigurisë,krijimin e masave higjieno-sanitare të domosdoshme për kohën kur po kalojmë", tha Xhaçka

E pyetur se pse autoritete reaguan vetëm pas tri ditësh, kur mediat e ngritën këtë shqetësim të qytetarëve, Xhaçka u shpreh se  kjo situatë nuk është e krijuar nga qeveria por nga vetë udhëtarët që janë ngutur në udhëtim për të shmangur kufizimet e reja pas 16 gushtit vendosur nga pala greke, në një kohë që sipas Xhaçkës të gjithë qytetarët ishin njoftuar për orarin e kufizuar dhe bërjen e tamponit në kufi.

Ministrja Xhaçka gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve se kush nuk e ka me ngut udhëtimin në Greqi, të kthehet për të shmangur krijimin e radhëve të gjata dhe të kontribuojë në lehtësimin e situatës.

"Kjo nuk ka lidhje me atë çfarë bëjmë ne pasi kjo është një situatë e krijuara nga nguti i udhëtarëve dhe nuk është një situatë e krijuar nga qeveria. Rruga në kthim është e hapur dhe kushdo që nuk e përballon dot këtë situatë të kthehet. Kush nuk ka  urgjencën për të udhëtuar brenda këtyre datave edhe duke pasur parasysh që është sezon turistik dhe jo muaj të ngutshme për punë do të ishte e udhës të mos udhëtonin duke mos bllokuar në zgjatjen e  radhëve. Po bëjmë maksimumin për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për të prishur rregullin e vendosur por lehtësuar sa më shumë që kalimi në kufi të jetë sa më i shpejtë", tha Xhaçka.