Në ambientet prestigjioze të hotelit Renaissance në Bruksel, radio “Jehona e Shqipes” kremtoi 40-vjetorin e themelimit në një aktivitet solemn dhe historik të organizuar nga themeluesi dhe drejtuesi i saj, Sakip Skepi. Ceremonia mblodhi personalitete të medias, diplomacisë, akademisë dhe diasporës shqiptare në Europë.

Aktiviteti u moderua nga gazetari Defrim Methasani, ndërsa një nga momentet më emocionuese ishte interpretimi i ikonës së muzikës shqiptare Arif Vladi, i cili kishte përgatitur një këngë të veçantë për këtë jubile.

Në ceremoni morën pjesë figura të njohura të medias dhe jetës publike shqiptare, si Alban Daci, Aleksandër Çipa, Agim Baçi, Basir Çollaku, Ergys Mërtiri dhe shumë personalitete të tjera nga akademia dhe shoqëria civile.

Një moment simbolik ishte improvizimi i studios së radios brenda aktivitetit, ku “Jehona e Shqipes” realizoi transmetime dhe intervista drejtpërdrejt, duke sjellë kujtime dhe dëshmi nga historia 40-vjeçare e radios.

Në jubile morën pjesë edhe autoritete shtetërore shqiptare dhe kosovare, mes tyre Ferit Hoxha, Glauk Konjufca, Albana Dautllari dhe Agron Bajrami. Me rastin e 40-vjetorit, Ferit Hoxha i dorëzoi Sakip Skepit një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte publikimi i një reviste përkujtimore kushtuar historisë dhe rolit të radios “Jehona e Shqipes”, ku personalitete të medias, diplomacisë dhe akademisë kishin shkruar mbi kontributin e saj ndër dekada. Revista u botua edhe në gjuhën frënge, duke i dhënë jubileut një dimension ndërkombëtar.

Në aktivitet morën pjesë edhe politikani belg David Weytsman dhe gazetari Axel Buyse, ndërsa u kujtua edhe bashkëpunimi historik me Anton Çetta për sensibilizimin e opinionit europian për çështjen e Kosovës.

Një vend të veçantë zuri edhe përkujtimi i kontribuuesve historikë të radios, si Ydriz Basha, Ali Islamaj, Avni Islamaj, Durak Duraku, Gani Sheta dhe Naim Leka, si dhe vlerësimi për kontributin e hershëm të Liria Begeja.

40-vjetori i radios “Jehona e Shqipes” u vlerësua si një aktivitet historik dhe emocionues, që dëshmoi se kjo radio mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të diasporës shqiptare në Europë dhe një simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar ndër breza.