PRISHTINE, 13 Shkurt/ATSH/-Drejtori i përgjithshëm i Doganave Lulzim Rafuna sot u takua në Bruksel me drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Dogana dhe Tatime të Komisionit Evropian, Heinz Zourek.
Siç njofton zyra për informim e Doganës, Rafuna e ka njoftuar Zourek për zhvillimet dhe progresin e fundit në Doganën e Kosovës, dhe gjjithashtu ka falënderuar Unionin Evropian për asistencën që është duke i dhënë doganës në këto zhvillime.
"Gjithashtu u njoftuan për ndryshimet në strukturën e Doganës dhe ndryshimet tjera pozitive që kanë për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të institucionit në luftimin e dukurive negative, përfshirë edhe korrupsionin", thuhet në komunikatë.
Zourek çmoi lart dhe përgëzoi Doganën për angazhimin e shtuar për të arritur rezultatet pozitive, reformën e cila ndihmon proceset e integrimit si dhe për bashkëpunimin me drejtorinë e TAXUD-it.
Zourek premtoi edhe më tej përkrahje për Doganën e Kosovës.
Siq njofton zyra për media ky ishte takimi i parë i këtij niveli për Doganën e Kosovës, prandaj si i tillë ishte mjaft i rëndësishëm sepse ndihmon në ndërtimin e një sistemi doganor kompatibil me Unionin Evropian./a.g/