Lufta/ Dorëhiqet kreu i Inteligjencës Ushtarake izraelite! Gjenden 210 trupa në varrin masiv në Gaza! Media: Plani i Izraelit përfshinte një sulm më të gjerë ndaj Iranit

Shefi i Inteligjencës Ushtarake të Izraelit, Aharon Haliva dha dorëheqjen, Duke marrë kështu përgjegjësinë për dështimin e ushtrisë për të parandaluar sulmin e Hamasit më 7 tetor. 

“Drejtoria e inteligjencës nën komandën time nuk e përmbushi detyrën që na ishte besuar. E mbaj atë ditë të zezë me vete qysh atëherë, ditë pas dite, natë pas nate. Dhimbjen do ta mbaj me vete përgjithmonë”, ka shkruar Haliva në letrën e dorëheqjes.

Haliva bëhet zyrtari i parë i lartë që jep dorëheqjen si përgjegjës për mos-parandalimin e sulmit të Hamasit, ndërsa do të mabjë këtë detyrë deri në zëvëndësimin e tij nga një person tjetër.  Pas dorëheqjes së tij, udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid i kërkoi dorëheqjen edhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Mbrojtja Civile Palestineze thotë se deri më tani janë gjetur 210 trupa në varrin masiv të zbuluar një ditë më parë, brenda spitalit Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.

Media amerikane, New York Times shkruan se plani fillestar për hakmarrjen izraelite kundër Iranit përfshinte një kundërsulm shumë më të madh kundër objektivave ushtarake. Izraeli zgjodhi një përgjigje më pak të fuqishme në dritën e presionit të fortë diplomatik për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm rajonal.

Ndërkohë, të paktën 5 raketa u lëshuan nga Iraku verior drejt një baze amerikane anti-ISIS në Siri. Kjo u njoftua nga forcat irakiane të sigurisë.

“Një operacion i madh kërkimi dhe inspektimi është nisur në provincën Nineveh për të gjetur autorët e të shtënave, thanë në një deklaratë forcat irakiane të sigurisë.

Sulmi kundër forcave amerikane është i pari që nga fillimi i shkurtit, kur grupet e mbështetura nga Irani në Irak ndaluan sulmet e tyre kundër trupave amerikane. Grupi shiit pro-iranian në Irak, Kataib Hezbollah pas sulmit tha se ky është vetëm fillimi.

Një postim, në një grup në Telegram i lidhur me Kataib Hezbollah, tha se fraksionet e armatosura në Irak kishin vendosur të rifillonin sulmet pas një pauze gati tre mujore pasi panë pak përparim në bisedimet për t'i dhënë fund koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA në vend. Një zyrtar amerikan, tha se më shumë se pesë raketa u hodhën nga Iraku drejt trupave në bazën në Siri, por asnjë personel amerikan nuk u lëndua.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
A ka shkelur Izraeli të drejtat e njeriut në Gaza?, Blinken: Po hetojmë, nuk ecim me standarte të dyfishta

1712238450_anthonyblinken.JPG

Antony Blinken 

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut nga Izraeli në operacionet e tij kundër Hamasit në Gaza. Këtë tha Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë prezantimit të raportit vjetor të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut.

Blinken mohoi se SHBA-të kanë një standard të dyfishtë kur bëhet fjalë për Izraelin dhe të drejtat e njeriut.

"A kemi një standard të dyfishtë? Përgjigjja është jo”,- theksoi ai.

Ora 17:11
Presidenti turk Erdogan bën thirrje për përmbajtje nga Irani dhe Izraeli

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin irakian Shia Al Sudani në Bagdad i ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit të shmangin hapat që mund të rrisin tensionin në rajon pas përleshjeve të fundit.

 “Zhvillimet midis Iranit dhe Izraelit rrisin rrezikun që lufta të rrisë shtrirjen e saj dhe në të njëjtën kohë të hedhë hije mbi masakrën në Palestinë.

Vëllezërit dhe motrat tona në Irak janë gjithashtu të ndikuar negativisht nga këto tensione, palët të shmangin hapat që mund të rrisin tensionin”, tha Erdogan.

Ora 14:38
New York Times: Plani i Izraelit përfshinte një sulm më të gjerë ndaj Iranit

Foto nga sulmi izraelit në Isfahan

Plani fillestar për hakmarrjen izraelite kundër Iranit përfshinte një kundërsulm shumë më të madh kundër objektivave ushtarake, duke përfshirë afër Teheranit. Këtë e raportoi New York Times, duke cituar tre zyrtarë izraelitë.

Shteti hebre përfundimisht zgjodhi një përgjigje më pak të fuqishme në dritën e presionit të fortë diplomatik për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm rajonal.

Për më tepër, raportoi gazeta amerikane, shteti hebre fillimisht kishte planifikuar bastisjen për mbrëmjen e 15 prillit, por e shtyu atë në minutën e fundit nga frika se Hezbollahu mund të "rriste ndjeshëm intensitetin e sulmeve në veri të vendit".

Izraeli iu kundërpërgjigj Iranit në shenjë hakmarrjeje orët e para të mëngjesit të 19 prillit, kur u raportua edhe për shpërthime në Isfahan, pranë një baze ushtarake. 

Ora 14:33
Varri masiv në Gaza, zbulohen 210 trupa

Një varr masiv u zbulua një ditë më parë në Gaza, dy javë pasi forcat izraelite ishin larguar. Mbrojtja Civile Palestineze thotë se deri më tani janë gjetur 210 trupa në varrin masiv të zbuluar një ditë më parë, brenda spitalit Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit.

Sipas departamentit të Mbrojtjes Civile Palestineze, disa nga trupat janë të njerëzve të vrarë gjatë rrethimit të spitalit nga forcat izraelite.

Pas tërheqjes së ushtrisë nga Khan Younis në fillim të prillit, banorët u kthyen për të kërkuar trupat e të të dashurve të tyre me qëllim që t'i varrosnin diku tjetër.

Ora 14:27
Udhëheqësi i opozitës izraelite kërkon dorëheqjen e Netanyahut

1712498160_netanyahu.jpg

Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqjen dhe të ndjekë shembullin e kreut të inteligjencës ushtarake, Aharon Haliva, i cili njoftoi dorëheqjen e tij pas dështimeve në lidhje me sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Udhëheqësi i Yesh Atid vlerësoi Haliva për vendimin e tij "të justifikuar dhe të respektuar" dhe argumentoi se "Kryeministri Netanyahu duhet të kishte bërë të njëjtën gjë".

Kreu i qeverisë nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësi për ngjarjet e 7 tetorit, thotë udhëheqësi i opozitës duke iu referuar kërkesave të tyre për ngritjen e një komisioni hetimor pas përfundimit të luftës për të vlerësuar atë që ndodhi dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Ora 14:24
Sulmi në Jerusalem, arrestohen dy të dyshuarit

1713772643_izrael.jpg

Policia izraelite ka arrestuar dy palestinezët e dyshuar për sulmin e mëngjesit të sotëm në Jerusalem ku mbetën të plagosur lehtë tre këmbësorë.

Të dy, pasi kanë goditur me makinë kalimtarët në rrugën Techelet Mordechai, kanë zbritur nga makina me një automatik dhe kanë tentuar të hapin zjarr, por më pas janë larguar me vrap.

Të dy u fshehën në një dyqan aty pranë ku u gjetën nga oficerët. Ushtria izraelite kontrolloi shtëpinë në Hebron ku jetojnë dy të dyshuarit dhe po marrin në pyetje njerëzit në zonë.

Ora 13:51
Teherani, mbrojtja jonë nuk përfshin armë bërthamore

Ministria e Jashtme iraniane ka minimizuar kërcënimin bërthamor të ngritur nga Garda Revolucionare dhe ka siguruar se armët atomike nuk kanë vend në doktrinën e saj mbrojtëse.

Ushtria islamike kishte paralajmëruar se Teherani mund të ndryshojë politikën e tij përballë kërcënimeve izraelite.

Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Naser Kanani në një konferencë për shtyp u shpreh se në Teheran "armët bërthamore nuk kanë vend në doktrinën mbrojtëse të Iranit".

 Ndërkohë që shtoi se doktrina bërthamore e Iranit "është mjaft e qartë" dhe se ai "e konsideron përdorimin paqësor të energjisë bërthamore si një të drejtë të patjetërsueshme" të vendit të tij.

 “Ne do të vazhdojmë aktivitetin tonë bërthamor për qëllime paqësore dhe këto aktivitete do të vazhdojnë në kuadër të masave mbrojtëse të Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dhe Traktatit të Mospërhapjes”, siguroi Kanani. 

                                                                                                                

Ora 10:56
Dështoi të parandalonte sulmin e Hamasit më 7 tetor, jep dorëheqjen shefi i Inteligjencës Ushtarake izraelite

Aharon Haliva, Shefi inteligjencës ushtarake të Izraelit dha dorëheqjen të hënën për dështimin e ushtrisë për të parandaluar sulmin në Izraelin jugor të kryer nga Hamasi më 7 tetor. Haliva bwhet zyrtari i parë i lartë që jep dorëheqjen si përgjegjës për mos-parandalimin e sulmit të Hamasit.

Haliva kishte treguar tashmë se ai do të tërhiqej pas përfundimit të luftës dhe duket se do të mbetet në këtë rol derisa të emërohet një zëvendësues. Gazeta Ynet publikoi letrën e tij të dorëheqjes. Gjenerali i kishte përshkruar ngjarjet e 7 tetorit si "një dështim të inteligjencës ushtarake".

“Drejtoria e inteligjencës nën komandën time nuk e përmbushi detyrën që na ishte besuar. E mbaj atë ditë të zezë me vete qysh atëherë, ditë pas dite, natë pas nate. Dhimbjen do ta mbaj me vete përgjithmonë”, ka shkruar Haliva në letrën e dorëheqjes.

Haliva kishte thënë publikisht se ai kishte fajin për mosparandalimin e sulmit si shef i Inteligjencës Ushtarake. 

Ora 10:47
Netanyahu zotohet se do t’i kundërshtojë sanksionet amerikane ndaj ushtrisë izraelite

1713027234_netanyahu.jpg

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do t’i kundërshtojë çfarëdo sanksionesh kundër ushtrisë së vendit të tij, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta ndërpresin ndihmën për njërën prej njësiteve të saj.

“Do të luftoj kundër tyre me gjithë forcën time”, tha Netanyahu të dielën.

Derisa zyrtarët amerikanë nuk e bënë të ditur emrin e njësitit që pritet të sanksionohet, liderët izraelitë dhe mediat lokale thanë se bëhet fjalë për Netzah Yehuda – një batalion e këmbësorisë i themeluar rreth 25 vjet më parë për t’i futur në ushtri burrat ultra-ortodoks.

Liderët izraelitë e kanë cilësuar si të “padrejtë” vendimin për sanksionet, posaçërisht në një kohë lufte, si dhe janë zotuar se do ta kundërshtojnë.

“Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione kundër një njësiti të IDF-së, do ta luftoj me të gjithë forcën time”, tha Netanyahu.

Ora 10:03
Borrell: Gati paketa e madhe e sanksioneve kundër Iranit, nevojitet unanimitet

1710764149_josepborrell.JPG

Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell ndodhet sot në Luksemburg në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm dhe mbrojtjes së BE. Josep Borrell tha se në tavolinë liderët kanë një paketë të madhe sanksionesh ndaj Iranit, për të cilën Borrell thotë se duhet të ketë unanimitet për ta miratuar.

“Në tryezën e Këshillit të Jashtëm dhe Mbrojtjes sot në Luksemburg është një paketë e madhe sanksionesh kundër Iranit. Shpresoj që të gjitha vendet anëtare të bien dakord, sepse nevojitet unanimiteti", tha Borrell.

"Situata në Gaza vazhdon të jetë e njëjtë si zakonisht, sulmet në Bregun Perëndimor po rriten dhe ne duhet të shikojmë sanksione më të mëdha kundër kolonëve të dhunshëm. Ka mbi një milion njerëz në Rafah dhe ata do të masakroheshin nga një operacion ushtarak, unë i kërkoj përsëri Izraelit të mos sulmojë," shtoi ai.

Ora 09:57
Makina përplas këmbësorët në Jerusalem, policia: Sulm terrorist (VIDEO)

Tre persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm në Jerusalem, ku një makinë ka goditur një grup këmbësorësh në atë që policia e quajti sulm terrorist. Kështu raporton Times of Israel, duke cituar policinë, duke shtuar se 2 nga të plagosurit, të moshës 21 dhe 15 vjeç, janë dërguar në spital.

Dy sulmuesit, siç tregojnë pamjet e para që qarkulluan në rrjetet sociale, pasi u përplasën me disa makina të parkuara, u larguan në këmbë. Në pamje duket se duan të hapin zjarr. Në fakt, pranë makinës është gjetur një automatik i lënë në tokë nga dy të dyshuarit të cilët u larguan.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 22/04/2024 10:21

    Sanksione Iranit ? Nuk ishte izraeli ai qe sulmoj i pari ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër